
‘Isha ‘Jo boss’, doja të bëhesha ‘boss’!’/ Dumani rrëfen tentativën e vrasjes së kunatit të motrës së Besmir Haxhisë

Nuredin Dumani
TIRANË– I penduari i drejtësisë Nuredin Dumani kishte një qëllim; të bëhej “boss“. Në seancën e sotme për gjyqin e dosjes “Plumbi i artë”, Nuredin Dumani ka folur edhe për tentativën e vrasjes së kunatit të motrës së Besmir Haxhisë për 100 mijë euro. Madje Dumani shpjegoi se ishin ofruar rreth 100 mijë euro pagesë, ku 60 mijë paund do i merrnin i vëllai i tij, Dashnori Dumani dhe Altin Ndoci.
“Dashnor Dumani dhe Altin Ndoci do merrnin 60 mijë paund. Unë vetëm do i prisja, nuk e di sa lekë do më jepnin. 10, 15, 20 mijë… Altini do ishte ekzekutor, Dashnori shofer, Besmiri informator, unë do isha pritësi. Unë do e jepja informacionin te Ura e Draxhit. Do merrja këta me makinë. Nga gjendja ekomonike në këtë periudhë isha “Jo Bos”. Bosi fillon nga 5 milionë në 100 milionë, pastaj nis Big Bosi. Altini e kishte zanat ekzekutimin. “Baca” ja dha porosinë Dashnorit. Altinin e propozoi Dashi të ishte pjesëmarrës. Me makinën që u përdor për vrasjen e Andi Zylyfit u tentua dy herë vrasja e personit në fjalë. Ky personi punonte me kamera, montonte kamerat. Kur jam takuar me Bacën ka qenë verë, përpara tentativës,”-tha Dumani.
Nuredin Dumani, vrasësi me pagesë që është kthyer në të penduar të drejtësisë vijon dëshmitë për dosjen “Plumbi i Artë”. Dumani ka zbërthyer ngjarje kriminale që nga viti 2011 deri në 2022-shin duke i thënë SPAK kodet e PIN-eve që kishte në aplikacionin “SkyECC”: ‘Totorina”, “Covid 19” dhe “Alcatraz”. Po ashtu, paralajmëroi edhe krime të tjera që do të zbardhen me “Matrix”, aplikacionin më të ri që është dekriptuar nga Europol. Gjatë 3 viteve që ka statusin e të penduarit të drejtësisë, Dumani ka folur edhe për ngjarje e vrasje të bëra jashtë territorit të Shqipërisë, në Belgjikë, Holandë dhe në Itali. Në dosjen ‘Plumbi i Artë’ përmenden të paktën 32 persona të dyshuar dhe akuzuar, nga 4 organizata të ndryshme kriminale. Dëshmitë dhe emrat e bashkëpunëtorëve që Nuredin Dumani u dha prokurorëve të SPAK, kanë zbardhur plot 27 krime e ngjarje të ndryshme të ndodhura gjatë një dekade mes Tiranës, Elbasanit e Durrësit./ZËRI