“Ia kishte mbushur mendjen Helenës se duhet të ikte i pari”, Hudhri: Minutat torturuese te urgjenca e pastaj heshtja e mjekëve…
Ismail Kadare dhe Bujar Hudhri
TIRANË- Botuesi dhe njëherësh miku i Ismail Kadaresë, Bujar Hudhri ka rrëfyer momentet e fundit të shkrimtarit, në urgjencën e QSUT-së, ku ishte dërguar pothuajse pa shenja jete.
Në një postim në “Facebook”, Hudhri shkruan se në mëngjesin e parë të këtij Korriku kur po nxitonin drejt spitalit me ambulancë e ndjente se diçka e pakthyeshme kishte ndodhur, që në apartamentin e shkrimtarit.
Në shkrimin e gjatë, Hudhri rrëfen përjetimet e leximit të paragrafit të fundit të dorëshkrimit të librit me kujtime të bashkëshortes së Kadaresë, Helenës, ku shkruhet se cili do të përcillte tjetrin nga kjo botë.
Teksa sillte në mend rreshtat ku Kadareja ja kishte mbushur mendjen të shoqes se duhej të ikte i pari, Hudhri nuk e harron tronditjen e asaj dite pasi ishte hera e parë që lexonte kaq qartë fjalë për vdekjen e shkrimtarit të madh sa gati po e besonte vërtetë.
Ishte Korrik kur lexoi paragrafin e fundit të “Kohë e pamjaftueshme” dhe ishte po i njëjti muaj kur mësoi pas momentesh torturuese tek dera e urgjencës se gjithçka mbaroi: Kadare ndërroi jetë!
Postimi i plotë i Bujar Hudhrit:
Shumë vite më parë, kur lexova paragrafin e fundit të dorëshkrimit të librit me kujtime të Helenës “Kohë e pamjaftueshme”, ku shkruhej se cili do të përcillte tjetrin nga kjo botë, Kadareja ia kishte mbushur mendjen se duhej të ikte i pari. Duhej të mbetesha, shkruante Helena, njëfarë kohe pas tij, ashtu sikundër pas një darke të gëzueshme.
Nuk mund ta harroj tronditjen e asaj dite. Ishte edhe atëherë një ditë e nxehtë korriku si sot, e megjithatë ndjeva të më përfshinte trishtimi. Hera e parë që lexoja kaq qartë rreshta për vdekjen e Kadaresë sa gati po e besoja vërtet. Formova numrin e telefonit të Helenës. Me një ngut që duket se atë e la paksa të habitur iu luta të ma kalonte pak zotin Kadare t’i flisja. Hë, Bujar, ç’kemi, dëgjova zërin e tij. Ja, përfundova librin e Helenës dhe doja të të dëgjoja zërin. Dhe shtova: sa bukur, ta lexoj këtë paragraf dhe ndërkohë ne mund të flasim bashkë. E përfytyroj tani, kur do të ketë buzëqeshur, me gishtin te tëmthi kur të thoshte për ndokënd, ky është i lojtur. Nuk i duronte sentimentalizmat.
Por mëngjesin e parë të këtij korriku, për fat të keq, ndërsa nxitonim drejt spitalit me autoambulancë, e ndjeva vërtet se diçka e pakthyeshme kishte ndodhur qysh në apartamentin e tij, në rrugën “Ibrahim Rugova”. Minutat torturuese te dera e urgjencës, ecejaket e personelit në dhomë, rreth krevatit, pastaj heshtja e mjekëve. Gjithçka mbaroi. Një punonjëse me të bardha që afrohet dhe kërkon ta ndihmoj për të plotësuar skedën e vdekjes: emri, mbiemri, atësia, mëmësia, datëlindja, adresa…
Kam pasur një përfytyrim, qysh në fëmijërinë time, që shkrimtarët nuk janë banorë të kësaj toke. Gati tridhjetë vite me Kadarenë, kjo përshtypje, madje, është përforcuar. Ndërsa e prisja në Rinas kur zbriste nga avioni dhe pas një muaji e përcillja, edhe me sy, teksa avioni shndërrohej si një pikë e zezë në qiell. E përsëritur kaq herë, në dhjetëra vite, e përfytyroja vërtet si një zog të qiejve, siç thoshte për Lasgushin. Edhe tani kjo pamje nuk më largohet nga përfytyrimi dhe e kam të fiksuar përjetësisht në mendje.
Tani më shumë se kurrë, duke zënë vendin e tij në panteonin e letrave botërore. Ashtu siç shprehej vetë, për sivëllain e tij Martin Camaj: “Në tryezën e epërme, ku kanë zënë vend krenajat e letërsisë, nuk ngjiten zhurmat e vogla e as afrohen profilet e rëndomta. Atje ka përherë mirëkuptim e harmoni, ndaj e kremtja vazhdon përherë dhe ndriçimi i shandanëve nuk sos”.
Lamtumirë, mjeshtër!/ZËRI
Burimi