I kishin mbetur edhe 6 javë nga dënimi me 2 vite burg, lirohet nga qelia Fredi Beleri

I kishin mbetur edhe 6 javë nga dënimi me 2 vite burg, lirohet nga qelia Fredi Beleri

Fredi Beleri

FIER- Gjykata e Fierit ka pranuar kërkesën e Fredi Belerit, për lirimin e tij me kusht nga qelia. Ish-kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, dhe njëherësh përfaqësues i Greqisë në parlamentin europian, fiton lirinë pas më shumë se një viti nga arrestimi i tij në datën 12 Maj, të vitit të kaluar. Procesi gjyqësor i Belerit është shndërruar në një telenovelë, dhe në një mollë sherri në marrëdhëniet diplomatike mes Shqipërisë dhe Greqisë.
Ai u arrestua dy ditë përpara zgjedhjeve lokale në Himarë, të cilat i fitoi me një diferencë të ngushtë votash, edhe pse nuk e ushtroi qoftë edhe një ditë të vetme mandatin e tij si kryebashkiak. Arrestimi i tij, dhe më pas vakanca në krye të Bashkisë së Himarës, sollën një sërë ngërçesh dhe parrregullsish ligjore, të cilat u përmbyllën në 4 Gusht të këtij viti, me zgjedhjet e pjesshme që u mbajtën për qytezën jugore të vendit.
Belerit iu refuzuan dhjetra kërkesa për t’u betuar si kryebashkiak i Himarës, ndërkohë që të njëjtat institucione lejuan betimin e tij si eurodeputet në Bruksel, duke e nxjerrë me kusht nga qelia për 5 ditë. Vetë Beleri ka paralajmëruar se procesin, dhe vendimmarrjen ndaj tij nga Gjykatat vendase do ta çojë në Gjykatën e Strasburgut.
Avokati i Belerit, Geni Gjyzari, në fund të seancës së sotme, falenderoi Gjykatën e Fierit për qëndrimin e mbajtur. Ai aludoi se lirimi i Belerit, njësoj si dhe arrestimi i tij janë bërë me urdhër politik, dhe vijnë në një kohë që procesi zgjedhor për Bashkinë e Himarës është përmbyllur.
“Gjykata e pranoi kërkesën tonë, urdhëroi lirimin para kohe, mbeteshin edhe rreth 6 javë nga lirimi. Respekte për gjykatën. U vendos lirimi me kusht, rreth 2 muaj i kishin mbetur. Ai pronari që ka çelsat e burgut dha lejen pas zgjedhjeve që të dalë”, tha ai.
Fredi Beleri është dënuar me 2 vite burgim për korrupsion zgjedhor në zgjedhjet e 14 Majit 2023 në Himarë, teksa sipas dy shkallëve të GJKKO u provua se pagoi 400 euro për 8 vota. /ZËRI 
Burimi