Himara drejt zgjedhjeve të reja, KQZ vendos të enjten për mandatin e Fredi Belerit
Himara drejt zgjedhjeve te reja
TIRANË- Pas më shumë se një viti pa kryebashkiak të ligjshëm, Himara duket se do të shkojë drejt zgjedhjeve të reja, pasi Apeli i Posaçëm vulosi dënimin me 2 vite burg për Fredi Beleri.
Komisioni qendror i zgjedhjeve do të mblidhet të enjten, për të diskutuar mbi vlefshmërinë e mandatit të Fredi Belerit, kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, i cili qëndron në burg që prej muajit Maj të vitit të kaluar.
Në orën 11:00, KQZ njofton se do të miratojë projektvendim “Për shqyrtimin e vlefshmërisë së mandatit të Kryetarit të Bashkisë Himarë, Alfred Beleri”.
Për shkak të ligjit të dekriminalizimit, betimi i Belerit si kryetar duket i pamundur dhe pritet që KQZ të konstatojë pavlefshmërinë e mandatit të tij, pas dënimit të formës së prerë edhe nga Gjykata e Posaçme e Apelit.
Në përfundim të procedurave nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, fati i zgjedhjeve të reja në Himarë do të jetë në duart e Presidentit, i cili brenda 45 ditëve nga shpallja e vakancës duhet të dekretojë datën e zgjedhjeve të reja.
Fredi Bleri garoi në zgjedhjet e 14 Majit 2023 nën logon e koalicionit Bashkë Fitojmë, por u arrestua 4 ditë para zgjedhjeve me akuzën për korrupsion aktiv në zgjedhje. Kryeministri Edi Rama ishte shprehur se zgjedhjet në Himarë nuk do të mbaheshin, pa një vendim përfundimtar nga Apeli. Por tashmë me gjasë në muajin Shtator në Himarë do të mbahen zgjedhjet e reja, ku nga socialistët nuk përjashtohet mundësia e kandidimit të Vangjel Tavos, aktualisht prefekt i qarkut të Vlorës./ZËRI
Burimi