Hetimi për Arben Ahmetajn, SPAK dërgon letërporosi në Hungari, Suedi dhe Vjenë

Hetimi për Arben Ahmetajn, SPAK dërgon letërporosi në Hungari, Suedi dhe Vjenë

Arben Ahmetaj

TIRANË-Ish-zëvëndëskryeministri Arben Ahmetaj prej kohësh ndodhet në arrati. Ai akuzohet se me veprimet apo mosveprimet e tij ka ndihmuar biznesmenët Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri të fitojnë projektet për inceneratorët. Në vijim të hetimeve SPAK ka kërkuar ndihmën e ndërkombëtareve ndaj ish-zëvëndëskryeministrit shqiptar.
Ministria e drejtësisë konfirmon se ka deleguar tre letërporosi dhe konkretisht drejt Hungarisë, Suedisë dhe Vjenës, dhe diçka e tillë konfirmon hetimin për pastrim parash ndaj Ahmetaj, shkruan TCH. Ky veprim vjen në kohën kur është pezulluar gjykimi për privatizimin e shoqërisë Buka , për të cilën kundër Ahmetaj , ish zv. kryeministër dhe njëherësh ish ministër financash, SPAK ka zyrtarizuar akuzën e shpërdorimit të detyrës. 
Pezullimi i gjykimit ndaj Arben Ahmetaj do të zgjasë një vit me detyra të lëna nga Gjykata Antikorrupsion për ta gjetur atë. Arben Ahmetaj ndodhet prej rreth një viti në arrati, pasi ka refuzuar përballjen me drejtësinë, duke thënë se procesi dhe provat janë manipuluar, për ta goditur atë politikisht. Nga Zvicra ku ka aplikuar për azil, ai ka thënë se do të përballet me drejtësinë vetëm kur ajo të jetë e drejtë dhe e vërtetë.

Kujtojmë që më 7 dhjetor të 2023 Prokuroria e Posaçme përfundoi hetimet duke çuar në GJKKO dosjen në ngarkim të Arben Ahmetajt lidhur me privatizimin e ish-furrës së bukës. Ndaj Ahmetajt u ngrit akuza për veprën penale të shpërdorimit të detyrës në vlerë dëmi rreth 7 miliard lekë. 
Arben Ahmetaj është shpallur në kërkim ndërkombëtar prej 24 korrikut 2023. Ai akuzohet për tre akuza “mosdeklarim, deklarim të rremë dhe fshehje të pasurisë”, vetëm dhe në bashkëpunim, “Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” në gjashtë raste, “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Bëhet fjalë një dosje voluminoze ku ai akuzohet se me veprimet apo mosveprimet e tij ka ndihmuar biznesmenët Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri të fitojnë projektet për inceneratorët e Fierit, Tiranës dhe Elbasanit./ZËRI
Burimi