Helika e gomones i preu këmbën, ndërron jetë në Turqi punonjësi i Inspektoriatit të Punës, u ‘dorëzua’ në operacionin e tretë

Helika e gomones i preu këmbën, ndërron jetë në Turqi punonjësi i Inspektoriatit të Punës, u ‘dorëzua’ në operacionin e tretë

Alban Kukaviqi

VLORË- Alban Kukaviqi, 60 vjeç, pjesë e stafit të Inspektoriatit Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore, ka ndërruar jetë në Turqi, në përpjekje për të vënë në funksion këmbën që humbi gjatë një aksidenti ujor.
Bëhet fjalë për ngjarjen e rëndë të ndodhur më 13 korrik në Gjirin e Shën Janit në Karaburun.
Kukaviqi kishte shkuar të pushonte me familjen e tij, por disa momente noti u kthyen në tragjedi për të. Flori Tahiri, 42 vjeç e goditi 60-vjeçarin me helikën e gomones së tij në njërën këmbë, duke i shkaktuar humbjen e saj.
ZËRI ka mësuar ekskluzivisht se pas aksidentit të rëndë, Kukaviqi u nis drejt Turqisë, ku iu nënshtrua operacioneve të njëpasnjëshme për vendosjen e një proteze që do të bënte të mundur përdorimin e këmbës normalisht.
Sot, Kukaviqi është futur për herë të tretë në sallën e operacionit, por duke qenë se kishte bërë dy ndërhyrje të tjera, nuk e ka përballuar dot narkozën dhe ka ndërruar jetë.
Nga ana tjetër, Flori Tahiri, drejtuesi i gomones është arrestuar dhe po përballet me akuzën për “Plagosje e rëndë me dashje”.
Për humbjen e Kukaviqit, Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore ka publikuar dhe një mesazh ngushëllimi në faqen zyrtare në Facebook.
Postimi:
Thellësisht të prekur nga humbja e parakohshme e kolegut tonë të dashur, Alban Kukaviqi, i cili në karrierën profesionale 31-vjeçare, pranë këtij institucioni, ka dhënë kontribut të çmuar në inspektimin e punës. Stafi i Inspektoratit Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore i shpreh familjes ngushëllime të sinqerta! Lamtumirë, i dashur koleg! Lutemi për shpirtin tënd!

 
Burimi