Gripi i shpendëve ‘fundos’ drejtorin e AKVMB-së, shkarkohet Ilir Ajdini

Gripi i shpendëve ‘fundos’ drejtorin e AKVMB-së, shkarkohet Ilir Ajdini

Gripi i shpendëve 'fundos' drejtorin e AKVMB-së, shkarkohet

Ilir Ajdini

TIRANË- Drejtori i Autoritetit Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve (AKVMB), Ilir Ajdini, është shkarkuar nga Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj. Vendimi vjen si rezultat i një situate të rënduar në shërbimin veterinar shtetëror, ku së fundmi vendi po përballet me gripin e shpendëve.

Rasti i fundit është ai në fermën e kompanisë “Rea’s”, e cila është vendosur në karantinë. 69 mijë krerë shpendë të fermës Rea’s do të asgjësohen për të penguar përhapjen e gripit të shpendëve në kapanonet e tjera. Rastet me gripin e shpendëve u raportuan në fillim të 2025, ku u identifikuan 5 vatra të përhapjes së sëmundjes me influencë Aviare, në Gjirokastër, Nartë, Zall Herr, Paskuqan dhe në Lagunën e Karavastës.

Burime për Dosja.al bëjnë me dije se shkarkimi i Ajdinit lidhet drejtpërdrejt me shkeljet ligjore në procedurën e emërimit të tij, një çështje që ishte denoncuar që në fillim nga Presidenti i Urdhrit të Mjekut Veterinar të Shqipërisë (UPMVSH), Ervin Resuli. Në një letër zyrtare drejtuar Kryeministrit Edi Rama, Resuli kishte ngritur shqetësimin mbi shkeljen e VKM-së Nr. 683, e cila përcakton qartë mënyrën e ngritjes dhe funksionimit të AKVMB-së, duke kërkuar një drejtues me formim profesional në fushën veterinare. Këtë shkelje e ka pranuar edhe vetë Ministrja Denaj në një korrespondencë zyrtare me UPMVSH-në.

Drejtimi i ‘dështuar’

Përtej shkeljeve ligjore, periudha katërmujore e Ajdinit në krye të AKVMB-së ka qenë e mbushur me skandale dhe dështime në sektorin veterinar. Më të rëndësishmet përfshijnë:

Dështimi i programit të vaksinimit të brucelozës, një strategji që ishte miratuar me urdhër të Ministrit të Bujqësisë në janar 2024 dhe që u neglizhua plotësisht, duke rrezikuar shëndetin e bagëtive dhe sigurinë ushqimore. Kontrabanda e lopëve me brucelozë nga Greqia, një skandal që ka ngritur alarmin për shëndetin e kafshëve dhe mungesën e kontrolleve nga autoritetet përgjegjëse.

Afera e mandarinave, ku punonjës të AKVMB-së u arrestuan për lëshimin e certifikatave fiktive fitosanitare, një tjetër shembull i dështimit të menaxhimit në institucion.

Të gjitha këto ngjarje kulmuan në një krizë të plotë të shërbimit veterinar shtetëror, e cila u vu në qendër të debatit në Kongresin e Parë Ndërkombëtar të Mjekësisë Veterinare Shqiptare, të mbajtur më 1-2 mars në Durrës. Veterinerët shqiptarë, të mbështetur nga liderët evropianë të fushës, e bënë të qartë se drejtimi i AKVMB-së duhet t’i besohet një profesionisti të vërtetë dhe jo një personi pa lidhje me fushën, siç ishte Ajdini, me formim në teknologjinë ushqimore.

Kush do të jetë drejtori i ri i AKVMB?

Në përpjekje për të zgjidhur krizën dhe për të kthyer normalitetin në sektorin veterinar, UPMVSH ka propozuar një listë emrash profesionistësh për këtë post, e cila i është dorëzuar Kryeministrit. Një nga kandidatët kryesorë është Dr. Sulejman Kullolli, i cili aktualisht drejton Drejtorinë Rajonale të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve në Tiranë (DRVMB-Tiranë).

Dr. Kullolli është një veteriner me një karrierë të gjatë dhe përvojë të gjerë në sektorin veterinar. Ai shihet si një zgjedhje natyrale për të rikthyer besimin, profesionalizmin dhe integritetin në AKVMB, si dhe për të adresuar problematikat e shumta që ka trashëguar institucioni nga drejtimi i mëparshëm.

Largimi i Ajdinit shihet si një fitore e madhe për komunitetin veterinar shqiptar, i cili ka qenë në përplasje të vazhdueshme me Ministrinë për këtë çështje. Kongresi i fundit konfirmoi unitetin e mbi 700 veterinerëve shqiptarë, të cilët kërkuan një reformë të thellë dhe një drejtim profesional të AKVMB-së.

Tashmë pritet vendimi final i Kryeministrit për drejtuesin e ri të institucionit. Por një gjë është e sigurt: shërbimi veterinar shqiptar nuk mund të drejtohet më nga individë pa formim profesional në fushë. Për këtë arsye, emërimi i një veterineri në krye të AKVMB-së nuk është vetëm një kërkesë e komunitetit profesional, por një domosdoshmëri për shëndetin e kafshëve dhe sigurinë ushqimore në vend.

Burimi

Ky lajmë ka
0 Komente