Grabitja e metalit në kombinatin e Poliçanit, Bledi Çuçi 1 orë në Prokurorinë e Beratit: U pyeta për Erjon Zylyftarin
Bledi Çuçi
BERAT- Deputeti i Partisë Socialiste, Bledi Çuçi është paraqitur në ambientet e Prokurorisë së Beratit. Për rreth një orë, ish-ministri i Brendshëm është marrë në pyetje nga prokurori Eni Çulli, si person në dijeni lidhur me çështjen e vjedhjes së metalit në kombinatin e Poliçanit.
“U thirra për ish-drejtorin e Poliçanit, Erjon Zylyftarin nëse e njihja apo nëse e kisha takuar,”-tha Çuçi para mediave, pasi ka dalë nga ambientet e Prokurorisë.
Dosja është hapur që në vitin 2022 për veprën penale të shpërdorimit të detyrës.
Çështja penale lidhet me vjedhjen e 54 ton metal në Kombinatin Mekanik të Poliçanit dhe Çuçi thirret në cilësinë e drejtuesit politik të qarkut Berat pasi nga hetimet ka rezultuar se ka patur komunikime me drejtorin e Kombinatit, Erion Zylyftari, i cili është njëherazi edhe kreu i Partisë Socialiste në Poliçan. Po ashtu, përveç ish-ministrit Çuçi, pritet që do të thirret për të dëshmuar edhe ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi. Kjo për shkak se Kombinati është pronë e institucionit që ai drejton. Aktualisht hetimi po kryhet në Prokurorinë e Beratit, por nëse do të ketë gjetje të tjera nga marrja në pyetje, ky organ mund të shpallë moskompetencë dhe çështja t’i kalojë Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Kombinati Mekanik Poliçan është një ndërmarrje shtetërore, e themeluar në vitin 1962, me qëllim përmbushjen e kërkesave të Forcave të Armatosura Shqiptare për armatim. Kombinati ndodhet pranë qytetit të Poliçanit, në rrethin e Skraparit, 22 km në jug të qytetit të Beratit. Uzina e Prodhimit të Municioneve (sot Kombinati Mekanik Poliçan), u ndërtua dhe filloi aktivitetin e saj në vitet 60–të./ZËRI
Burimi