Gjykata e ‘kyçi’ në burg, Adriatik Kalemi: Më rrezikohet jeta (A po përgatitej të hakmerrej për babanë)
Adriatik Kalemi
GJIROKASTËR- Gjykata e Gjirokastrës vendosi 3 ditë më parë masën e sigurisë arrest me burg për Adriatik Kalemin, alias Andrea Kalemi, një prej personazheve kryesore të familjes së tij, për shkak se iu gjetën në banesë armë zjarri.
Bashkë me të u arrestua dhe u la në burg dhe Jetmir Kalemi, ndaj të cilit prokuroria ngriti akuzën e “Përkrahjes së autorit të krimit”, pasi mbante në banesë personin e shpallur në kërkim Andreë Bode.
Në dosjen hetimore thuhet se Andrea Kalemi në momentin e sulmit me armë ku mbeti i vrarë babai i tij, Shyqo Kalemi, kamarieri Gledio Muka, klienti Marsel Çela dhe u plagos xhaxhai i tij, Artur Kalemi, ndodhej në dyqanin e tij.
Pas kësaj ngjarje të rëndë ai ka shkuar në vendin e krimit, duke u përpjekur të japë ndihmën e parë, ndërkohë që ka dyshime se ai po përgatitej që të hakmerrej në drejtim të personave që i vranë babanë e tij. Më herët vetë Adriatik Kalemi iu ka shpëtuar dy atentateve që i janë bërë në Greqi, njëri teksa ndodhej në burg, dhe tjetri teksa ishte duke pushuar me familjen e tij.
Gazetari Elton Qyno raporton se në seancën e mbajtur në Gjykatën e Gjirokastrës, Kalemi ka kërkuar lirinë, me pretendimin se prezenca në burg, i rrezikon jetën, duke iu referuar dhe ngjarjeve të mëparshme.
Pas caktimit të masës së sigurisë “arrest në burg”, Andrea dhe Jetmir Kalemi janë transferuar në paraburgimin e Fierit, duke u vendosur në një regjim të sigurt
Përplasja e kësaj familje është me atë të familjes së Edmond Papa, i cili mbeti i vrarë në Tiranë.
Zanafilla e sherrit dyshohet se ka nisur fillimisht për 100 kg hashash që Edmond Papa nuk ia pagoi Aleksandër Sadikajt në Memaliaj.
Mes dy miqve ka ndodhur një kontradiktë për punën e pagesës së kësaj sasie droge, duke çuar në ndezjen e konfliktit me vrasjen e Aleksandër Sadikaj me tritol në makinë, shpërthim i cili ndodhi në afërsi të Lundrës. Prej asaj kohe disa ngjarje kriminale kanë pasuar, ndërsa edhe vëllai i Adriatik Kalemit i shpëtoi një atentati në fillim të këtij viti, ndërsa u qëllua me armë zjarri teksa po ecte me makinën e tij. /ZËRI
Burimi