‘Gjuha e fshehtë e kontratave’, gazetarja: Rastet më flagrante në banka dhe ndërtim, shkelet me të dyja këmbët e drejta e pronës

‘Gjuha e fshehtë e kontratave’, gazetarja: Rastet më flagrante në banka dhe ndërtim, shkelet me të dyja këmbët e drejta e pronës

ola xama

TIRANË- Gazetarja Ola Xama në një postim në rrjetet sociale, thotë se prej disa kohësh është ndalur te mënyra se si funksionojnë lidhjet e kontratave në Shqipëri, ku në shumicën e rasteve gjuha e përdorur është e drunjtë dhe e pakuptueshme për qytetarët.
Ajo thotë se rastet më flagrante janë kontratat që lidhen me bankat dhe shoqëritë e ndërtimit, që iu imponojnë qytetarëve kontrata Tip, që kanë kushte të pafavorshme për konsumatorët. Gazetarja shkruan se ku lexon lejen e ndërtimit, që lidhet mes kompanisë dhe blerësit konstaton se pagesat kërkohen 1 deri në 2 vjet para përfundimit të godinës, duke shkelur të drejtën kushtetuese të pronës. 
Xama evidenton se një tjetër pikë flagrante në kontratat që lidhen me kompanitë e ndërtimit është përcaktimi me një nen të veçantë në kontratë se blerësi detyrohet të pranojë si shoqëri administrimi të ambienteve për një periudhë 10-vjeçare kompaninë që do të caktojë shitësi.
“Pavarësisht se në Shqipëri kemi Autoritet Konkurrence, Agjenci për Mbrojten e Konsumatorit në nivel vendor, Inspektoriat të Mbikëqyrjes së Tregut në nivel qëndror, Komision për Mbrojtjen e Konsumatorit, Këshill Bashkërendues për të Drejtat e Konsumatorit dhe ZAM që janë zyrat në nivel rajonal, kontratat e tilla lulëzojnë. Madje për disa nga këto agjenci mungon faqja e internetit apo ndonjë numër kontakti për të denoncuar sjelljet e padrejta”, shkruan mes të tjerave Xama në postimin e saj.
POSTIMI I PLOTË
Ka disa muaj që po punoj me mënyrën se si funksionon lidhja e kontratave mes palëve individ dhe privat. Punën e nisa fillimisht me evidentimin e shkeljes së të drejtave të konsumatorit në kontratat për shërbimet bankare dhe financiare, por gjatë rrugës kam konstatuar se shkelja e të drejtave te konsumatorit mbizotëron në shumicën e tregjeve.
Rastet më flagrante janë ne banka dhe shoqëri ndërtimi të cilat imponojnë në masë kontrata Tip dhe nuk pranojnë negocimin e kushteve kontraktuale duke thënë se kontratat janë njësoj për të gjithë. Ligji për Mbrojtjen e Konsumatorit përcakton qartë se në asnjë rast kontratat nuk duhet të jenë te formës kolektive dhe duhet të lidhen sipas marrëveshjeve dhe interesave të të dy palëve, shitësit të produktit/shërbimit dhe blerësit.
Në shumë kontrata gjuha e përdorur është e fshehtë dhe e pakuptueshme për konsumatorin. Në kontratat e porosive të ambienteve të banimit p.sh., blerësit i kërkohen pagesat sipas një grafiku të përcaktuar nga kompania dhe dorëzimi i njësisë premtohet se do të bëhet sipas atij grafiku, ku shtohet një fjali sipas afateve të lejes së ndërtimit. Kur hap dhe sheh lejen e ndërtimit, konstaton se pagesat kërkohen 1 deri në 2 vjet para përfundimit të godinës. Kjo quhet gjuhë e fshehtë që ka qëllim mashtrimin e konsumatorit me synim përfitimin nga ana e shitësit.
Një tjetër pikë flagrante në këto kontrata ku bëjnë pjesë shumica e kompanive që dominojnë tregun e ndërtimit, është përcaktimi me një nen të veçantë në kontratë se blerësi detyrohet të pranojë si shoqëri administrimi të ambienteve për një periudhë 10-vjeçare kompaninë që do të caktojë shitësi.
Këtu jo vetëm shkelet me të dy këmbët e drejta kushtetuese e pronës, pasi pronari i ambienteve të përbashkëta është blerësi i cili i ble ato dhe i mohoet gëzimi me vullnet të lirë, por dhe ligji për Bashkëpronësinë, i cili ia le vendimarrjes së Kryesisë të zgjedhur nga Asambleja e Përgjithshme (pronarët e ambienteve sipas përqindjes së pronësisë kanë të drejtë vote), që të zgjedhin kompaninë e administrimit dhe të caktojnë tarifat dhe kostot.
Kjo pikë që u detyrohet blerësve në kontrata, krijon të gjithë bindjen se kemi të bëjmë me kufizim vertikal të konkurrencës në treg, pasi në vend të ofertave nga kompanitë e administrimit, çmimit dhe cilësisë së punës, përfituesi nga ky treg është përcaktuar kohë më parë se cili do të jetë.
Nëse të gjithë çuditeni dhe pyesni se si ka mundësi që disa janë bërë çdo ditë e më shumë të pasur, se si disa kompani kanë arritur të kapin tregje duke rritur të ardhurat dhe fitimet, përgjigjen e keni te kontratat, të cilat janë jo vetëm të njëanshme, por në shkelje flagrante të të drejtave të konsumatorit dhe konkurrencës.
Pavarësisht se në Shqipëri kemi Autoritet Konkurrence, Agjenci për Mbrojten e Konsumatorit në nivel vendor, Inspektoriat të Mbikëqyrjes së Tregut në nivel qëndror, Komision për Mbrojtjen e Konsumatorit, Këshill Bashkërendues për të Drejtat e Konsumatorit dhe ZAM që janë zyrat në nivel rajonal, kontratat e tilla lulëzojnë. Madje për disa nga këto agjenci mungon faqja e internetit apo ndonjë numër kontakti për të denoncuar sjelljet e padrejta./ZËRI
Burimi