
Gjermania miraton 3 miliardë euro ndihmë për Ukrainën
Parlamenti gjerman
BERLIN- Komiteti për buxhet i Gjermanisë ka hapur rrugën për paketën e re të ndihmës ushtarake për Ukrainën në vlerë prej 3 miliardë eurosh, pasi Friedrich Merz – kancelari në ardhje –po shtyn përpara rritjen e investimeve në mbrojtje. Të dy dhomat e Parlamentit më herët gjatë kësaj jave miratuan planin e konservatorëve të Merzit dhe Socialdemokratëve, të cilët po zhvillojnë bisedime për formimin e Qeverisë së re gjermane.
Në paketën prej 3 miliardë eurosh përfshihen 2.547 miliardë nga Ministria e Financave që do t’i jepen Ukrainës këtë vit, të plotësuara edhe nga kontribute tjera, përfshirë një rimbursim nga Mekanizmi Evropian i Paqes.
Ministria gjermane e Financave po ashtu planifikon të autorizojë 8.252 miliardë euro për ndihmë ushtarake për Ukrainën për periudhën nga viti 2026 deri më 2029, duke bërë që totali i ndihmës të arrijë në 11 miliardë euro.
“Ishte koha” që Komiteti parlamentar të hapte rrugën për përdorimin e fondeve dhe Gjermania tani po vendos ritmin për mbështetjen e Evropës për Ukrainën, tha Baerbock përmes një deklarate.
“Situata ushtarake e Ukrainës është bërë më e vështirë në muajt e fundit”, shtoi ajo.
Anëtarët e Bashkimit Evropian, udhëheqësit e të cilëve u mblodhën këtë javë për të diskutuar ndihmën për Ukrainën, janë nën presion që të shfaqin angazhimin e tyre për Ukrainën e cila po përballet me pushtimin rus, pasi pasiguria po rritet lidhur me të ardhmen e garancive të sigurisë nga Shtetet e Bashkuara nën udhëheqjen e Donald Trumpit./REL
Burimi