
“Giro d’Italia”, i kushton Shqipërisë 7 milionë euro!

FOTO ILUSTRUESE
TIRANË- Për herë të parë edicioni i 108 i “Giro d’Italia” do të zhvillohet në vendin tonë. Gara e famshme e çiklizmit do të zhvillojë tre garat e hapjes në Shqipëri nga 9 maji deri më datë 11 maj. Por, organizimi i këtij eventi që do të mbahet në tre qytete, Tiranë, Durrës dhe Vlorë, i ka kushtuar qeverisë sonë 7 milionë euro. Ministria e Arsimit dhe Sportit ka miratuar këstin e dytë prej 4 milionë eurosh, ndërsa më herë pagoi 1 milion euro për organizatorët, gjithashtu mbetet për t’u paguar edhe shuma prej 2 mln euro për t’u akorduar.
“Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, në buxhetin e miratuar për vitin 2025, në zërin “Shpenzime korrente”, në artikullin 605 “Transferta me jashtë”, të programit buxhetor “Zhvillimi i sportit”, i shtohet fondi prej 400 000 000 (katërqind milionë) lekësh, për financimin e këstit të dytë të kontratës për realizimin e tri tureve të para të “Giro d’Italia 2025”, në Republikën e Shqipërisë.
2. Fondi sipas pikës 1, të këtij vendimi, përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, miratuar për vitin 2025, dhe përdoret për kryerjen e pagesës së këstit të dytë, sipas përcaktimeve në kontratën e nënshkruar ndërmjet palëve, për vitin 2025.
3. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”, thuhet në vendim.
Më herët në një intervistë, drejtori i këtij eventi Mauro Vegni është shprehur se ciklistët pritet të hasin vështirësi në Shqipëri. Vegni u shpreh se kanë probleme me pistat pasi ka shumë erë.
“E para dhe e treta do të jenë të vështira. Une mendoj se në ditët e para nuk do të kemi shumë distancë mes çiklistëve, mbase mund të kemi shkëputje të grupeve të vogla. Mendoj se në ditët e para nuk do të kemi mundësi që të shijojmë sprintet nga çiklistët e shpejtë. Në etapën e dytë them se do të shfaqen vetëm çiklistët specialistë, të cilët kanë garuar prej vitesh. E them se kjo etapë është për specialistët pasi do të kemi të paktën shtatë kthesa të forta ku çiklistët pa eksperiencë do të vuajnë. Ajo që është e sigurt është fakti se do të jetë një start dëfryes.
Primoz Rogliç, Juan Ayuso, mbase edhe Jonas Vingegard… do të kemi yje të mëdhenj edhe në këtë sezon. Në këtë edicion do të kemi çiklistë, të cilët bëjnë diferencën. Ata do të bëjnë për vetë publikun. Kemi arritur që të ndryshojmë disi programin e këtij edicioni duke evituar etatapt e shpejta në garat e para kështu për sprintierët të mos ketë aksidente, por njëkohësisht këto etapa do të jenë mjaft interesante pasi do të kenë impakt sa i përket renditjes së përgjithshme. Do të shikojmë me kujdes sa impakt do të ketë në këto gara era, por një gjë është e sigurt se protagonistët mund të thonë shumë që në ditët e para”, ka thënë Vegni.
Giro d’Italia do të nis më 9 maj nga qyteti i Durrësit dhe do të përfundojnë në Tiranë. Ndërsa prej 10 majit do të zhvillohet një provë kohore individuale në kronometër me distancë 13.7 km. Gara do të përfundojë më 11 maj, në një kurs prej 160 km që përfundon në Vlorë./ZËRI

kuvv6huwuaqklyz4fqnd 231224 123142

67cac1bd46880giro q