“Gërdeci”/ Fatmir Mediu PYETJE: Cili është dëmi ekonomik i ardhur nga urdhrat e mi? Eksperët: Duam kohë!
Fatmir Mediu
TIRANË- Pesë ekspertë të thirrur nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për gjyqin kundër ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediut do t’ju përgjigjen gjatë ditës pyetjeve të mbrojtjes së tij për aktekspertimin ekonomiko-financiar të çështjes “Gërdeci”. Ekspertët që janë në listë për të dëshmuar janë Bexhet Zeqiri që është financier kontabël, aktualisht auditues pranë KLSH; Ymer Stafa-ekonomist; Rasim Metallari- financier, punonjës në Universitetin e Mjekësisë, auditues i brendshëm; Latif Çela- financier i lartë, auditues më Ministrinë e Financave si edhe Mond Hoxha, punonjës në sektor privat.
Në fjalën e tij, Mediu i ka parashtruar disa pyetje ekspertëve, ku kërkon të dijë se cilat janë përgjegjësitë e tij lidhur me dëmin ekonomik.
“SPAK të përcaktojë përgjegjësitë ligjore të Ministrit të Mbrojtjes. Dua të di përgjegjësitë e ministrit mbi dëmin financiar. Cili është dëmi ekonomik i ardhur nga urdhrat e ministrit? Dua të di si dhe ku është gjetur përgjegjësia ime. Ky akt ka brenda 15 pyetje për çështje që nuk kanë lidhje me këtë proces,”-tha Mediu në fjalën e tij.
Menjëherë ka ndërhyrë prokurori i çështjes, Klodian Braho: Kjo pyetje duhet të jetë me specifike, që edhe ekspertët mos konfondohen.
Pas tij, pati një ndërhyrje edhe nga ekspertët që kërkuan më shumë kohë për t’u dhënë përgjigje pyetjeve, pasi pretendojnë se duhet që të shqyrtojnë fillimisht një material me 500 faqe.
“E kemi të vështirë të përgjigjemi për një material që ka më shumë se 500 faqe. Ne duam të na jepet mundësia të kemi kohë për të dhënë përgjigje,”- janë shprehur ekspertët.
PJESË NGA SEANCA:
Fatmir Mediu: SPAK të përcaktojë përgjegjësitë ligjore të Ministrit të Mbrojtjes. Dua të di përgjegjësitë e ministrit mbi dëmin financiar. Cili është dëmi ekonomik i ardhur nga urdhrat e ministrit? Dua të di si dhe ku është gjetur përgjegjësia ime. Ky akt ka brenda 15 pyetje për çështje që nuk kanë lidhje me këtë proces
Klodian Braho: Ne do kërkojmë që pyetjet të ishin konkretisht pyetje-përgjigje që janë në aktin e ekspertimit. Pyetja duhet të jetë më specifike, në faqen kaq, pyes për këtë.
Fatmir Mediu: Ne këtu nuk bëjmë pyetjen e prokurorit. Ju duhet të na kishit thënë kush janë përgjegjësitë e ministrit. Ju nuk e keni bërë në asnjë nga aktet e deritanishme. Unë duhet të di ku është përcaktuar përgjegjësia ime.
Ekspertët: Nuk mund të flasim, na ndihmoni. Në një seancë tjetër na janë bërë 200 pyetje dhe ne kemi operuar në të njëjtën mënyrë. Ne nuk po vëmë kusht për pyetjen, por duhet të na jepet mundësia, që në një material 100 faqe të gjejmë sqarimin. E kemi të vështirë, materiali është shumë voluminoz.
Fatmir Mediu: Unë po kërkoj në mënyrë shumë korrekte, kërkoj te di ku janë përgjegjësitë e ministrit për dëmin financiar? Ju jeni thirrur në cilësinë e ekspertit ekonomiku-financiar, në pyetjet që ka bërë prokuroria, ka pyetje te karakterit ligjor. I jeni përgjigjur ju këtyre pyetjeve, apo i keni refuzuar? Cilësinë e përgjigjes e ka prokurori. Prokuroria ju ka kërkuar nëse aktet de facto të vëna në dispozicion të Ministrise së Mbrojtjes janë të rregullta , të plota… kjo pyetje është brenda sferës suaj të ekspertizës? Është pyetja e parë, faqja e parë. Kush konsiderohet de facto dhe kush konsiderohet de jure?
Ekspertët: Nuk mund të përgjigjemi kështu. Përgjigja është shkruar në faqen 1 deri në faqen 2.
Henrik Ligori: Nuk mund të na lexoni përgjigjen. Pyetja është konkrete. Me këtë akt-ekspertim janë dënuar 20 vetë, ata duhet të dijnë përmendësh këtë akt. Ky është idiotizim i mbrojtjes.
Mediu: Ju keni përmendur disa akte qe janë nevojë për pyetje të tjera.
Klodian Braho: Deformimi që i bën i pandehuri faktit, është i papranueshëm e aq më tepër ti kërkoi llogari ekspertëve. I kemi kërkuar llogari ministrit që pse ka lidhur kontrata me SAC kur kjo kompani nuk ishte e regjistruar në Tatime. Dhe e keni urdhëruar ju… me urdhrin 550./ZËRI
Burimi