George Clooney i bën thirrje Biden të tërhiqet: Jam demokrat i përjetshëm, por duhet të largohesh!

George Clooney i bën thirrje Biden të tërhiqet: Jam demokrat i përjetshëm, por duhet të largohesh!

George Clooney dhe Joe Biden

SHBA- Ylli i Hollivudit, George Clooney i ka bërë thirrje presidentit amerikan Joe Biden të tërhiqet. Në një shkrim për “New York Times”, aktori teksa shprehet “unë e dua Joe Biden”, por kërkon një kandidat të ri përballë republikanit Donald Trump. Clooney, një nga mbledhësit kryesorë të fondeve demokrate, shkroi se për Biden, lufta kundër kohës është një betejë e humbur. Ndaj në një letër publike të bërë për median amerikane, aktori i kërkon Biden që të tërhiqet dhe të zëvendësohet me një kandidat tjetër në mënyrë që 4 vitet e ardhshme vendi të mos udhëhiqet nga Trump. 
PJESË NGA SHKRIMI I CLOONEY:
Unë jam një demokrat i përjetshëm; nuk kërkoj falje për këtë. Jam krenar për atë që partia ime përfaqëson. Muajin e kaluar unë bashkë-organizova mbledhjen e fondeve për rizgjedhjen e Presidentit Biden. I them të gjitha këto vetëm për të shprehur se sa shumë besoj në këtë proces dhe sa i thellë mendoj se është ky moment. Unë e dua Joe Biden. Si senator. Si nënkryetar dhe si president. Unë e konsideroj atë një mik dhe besoj tek ai. Besoj në karakterin e tij. Besoj në moralin e tij. Në katër vitet e fundit, ai ka fituar shumë nga betejat me të cilat është përballur. Por e vetmja betejë që ai nuk mund ta fitojë është lufta kundër kohës. Askush nga ne nuk mundet. Është shkatërruese ta thuash, por nuk është Joe Biden i vitit 2020. Ai ishte i njëjti njeri që të gjithë e pamë në debat. Ishte i lodhur? Po. I ftohur? Ndoshta. Por liderët tanë të partisë duhet të mos na thonë se 51 milionë njerëz nuk e panë atë që ne sapo pamë. Të gjithë jemi kaq të tmerruar nga perspektiva e një mandati të dytë të Trump, saqë kemi zgjedhur të injorojmë çdo shenjë paralajmëruese. Demokratët kryesorë – Chuck Schumer, Hakeem Jeffries, Nancy Pelosi – dhe senatorët, përfaqësuesit dhe kandidatët e tjerë që përballen me humbjen në nëntor duhet t’i kërkojnë këtij presidenti që vullnetarisht të tërhiqet.
Joe Biden ka qenë nën një presion të madh që nga paraqitja e tij katastrofike në duelin televiziv kundër sfiduesit Donald Trump. Edhe pse që atëherë ka pasur zëra që i kërkojnë të tërhiqet, sërish Biden nuk pranon. Madje së fundmi është shprehur se vetëm Zoti mund ta “largojë” nga gara./ZËRI
Burimi