Garat fiktive dhe marrëveshja e fshehtë për tendera, drafti i ri për konkurrencën
Foto Ilustruese
TIRANË- Ligji për mbrojtjen konkurrencës i është nënshtruar së fundmi rishikimit në një pjesë të mirë të pikave si pjesë e përafrimit me direktivat e Bashkimit Europian dhe një draft i bërë publik këtë të premte tregon pikat e ndërjhyrjes.
Drafti i hedhur për konsultim nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit përfshin disa elementë duke nisur nga disa koncepte të reja e deri tek mbrojtja e bizneseve për një konkurrencë të drejtë në treg e për rrjedhojë edhe ccmime më të ulëta në interes të klientëve.
Konkretisht drafti propozon tre përkufizime të reja të tilla si: “praktikë e bashkërenduar”, “marrëveshje në oferta” dhe “sekreti tregtar”.
Sipas draftit “Praktikë e bashkërenduar” është koordinimi ndërmjet ndërmarrjeve të cilat, pa arritur në fazën e lidhjes së një marrëveshjeje formale, bashkëpunojnë me vetëdije në praktikë duke kufizuar, deformuar ose shtrembëruar konkurrencën në treg.
“Marrëveshje në oferta” është ajo marrëveshje ku ndërmarrjet gjatë procedurave të prokurimit publik, nuk konkurrojnë midis tyre por bien dakord fshehurazi për të caktuar çmimet ose për të ulur cilësinë e mallrave, punëve ose shërbimeve për blerësit që dëshirojnë të prokurojnë produkte, shërbime ose punë nëpërmjet një procedure prokurimi apo kur bien dakord të koordinojnë ofertat e tyre në prokurimet publike. Forma të këtyre marrëveshjeve janë oferta të mbuluara, ofertë e përmbajtur, ofertë në rotacion, ndarje e tregut.
Termi i tretë “Sekret tregtar” sipas përkufizimit në ligj është informacioni që përmbush kërkesat e mëposhtme: a)është sekret në kuptimin që në tërësinë e tij ose për sa i përket konfigurimit të saktë dhe kombinimit të pjesëve përbërëse të tij, nuk është gjerësisht i njohur ose lehtësisht i aksesueshëm për personat që përgjithësisht merren me llojin e informacionit në fjalë; b) ka vlerë tregtare, sepse, përsa kohë nuk njihet nga të tjerët, i siguron ndërmarrjes një avantazh konkurrencial; c) u është nënshtruar hapave të arsyeshëm për ruajtjen e informacionit, sipas rrethanave, nga personi që zotëron në mënyrë të ligjshme informacionin për të mbajtur sekretin të fshehtë.”
Mbrojtja e sipërmarrjeve të reja dhe Komisioni i Konkurrencës
Një aspekt i ri i përfshirë në draft është mbrojtja e sipërmarrjeve të reja nga sipërmarrjet e ekzistuese në treg të cilat synojnë t’i blejnë për ti ndalur.
“Neni 8 propozon rregullimin e përqendrimit të quajtur “killer acquisition”, përafruar me Rregulloren së Këshillit nr. 139/2004 e datës 20 janar 2004 “Mbi kontrollin e përqendrimeve ndërmjet ndërmarrjeve”. Koncepti i “killer acquisition” përfshin përqendrimet në të cilat konkurrentët në treg blejnë konkurrentë të rinj me qëllim ndërprerjen e projekteve të tyre inovative duke eliminuar konkurrencën e ardhshme. Në këtë kontekst, Autoriteti i Konkurrencës do të vlerësojë përqendrimet e të gjitha atyre ndërmarrjeve, të cilat brenda një periudhe dy vjeçare nga momenti i lidhjes së marrëveshjes për bashkim, përftim kontrolli apo krijimin e një ndërmarrjeje të përbashkët, plotësojnë kriterin e kufirit të xhiros, megjithëse në momentin e lidhjes së marrëveshjes nuk përmbushnin kriteret për njoftim” shpjegon relacioni i projektligjit.
Një seri nenesh të tjera trajtojnë kushtet që duhet të plotësojnë anëtarët që zgjidhen në Komisionin e Konkurrencës, si dhe përmirësimin e ruajtjes së kofidencialitetit dhe sekretit tregtar në këto radhë titullarësh dhe anëtarësh të përfshirë në procedura të ndryshme.
Marrë nga Monitor
Burimi