Furnizuan me drogë festivalin tekno në Vlorë, 7 persona në pranga, mes tyre 5 të huaj
Pamje nga arrestimi i të dyshuarve
VLORË- 7 persona janë arrestuar nga policia e Vlorës, pasi shisnin drogë halucionagjene në festivalin e tekno. Në pranga kanë rënë 5 persona të huaj dhe 2 shqiptarë. Policia gjatë arrestimit iu sekuestroi sasi të lëndëve narkotike, MDMA, ekstazi, LSD dhe kanabis, 2 makina dhe 1800 euro të përfituara nga shitja e dozave të drogës.
Në pranga të policisë ranë, A. S., 37 vjeç, nga Polonia, P. O., 38 vjeç, nga Hungaria, Ch. G., 27 vjeç, nga Italia, G. M., 20 vjeçe, nga Italia, P. S., 43 vjeç, nga Çekia; S. S., 20 vjeç, nga Tirana; F. K., 27 vjeç, nga Kosova.
Operacioni u zhvillua pas disa pamjeve që po qarkullonin në rrjetet sociale, ku dukeshin qartë disa njerëz që ishin nën efektin e këtyre drogërave.
“Finalizohet operacioni policor antidrogë i koduar “Parts 28”, nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në vijim të operacioneve të zhvilluara në nivel qarku, për goditjen e veprimtarisë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike, në sasi dhe në doza.
Gjatë një festivali të zhvilluar në Delisuf, Vlorë, u arrestuan 7 shtetas që vepronin si grup kriminal (5 shtetas të huaj dhe 2 shqiptarë), për shitjen e dozave të drogave të ndryshme.
U sekuestruan sasi të lëndëve narkotike kokainë, MDMA, ekstazi, LSD dhe kanabis, 2 automjete dhe 1800 euro të përfituara nga shitja e dozave të lëndëve narkotike.
Falë administrimit të menjëhershëm të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, në kuadër të megaoperacionit “Tempulli”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike, dhe në zbatim të planit të masave të hartuar nga Policia e Vlorës, për mbarëvajtjen e aktiviteteve argëtuese në qark, u sigurua informacion për disa shtetas që vepronin si grup për të shitur doza droge në një festival në Delisuf.
Në bazë të këtyre informacioneve, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve i DVP Vlorë finalizoi operacionin policor antidrogë të koduar “Parts 28”, gjatë të cilit shërbimet e Policisë ndërhynë menjëherë në perimetrin ku zhvillohej festivali dhe arritën të kapnin dhe të vinin në pranga shtetasit:
A. S., 37 vjeç, banues në Poloni; P. O., 38 vjeç, banues në Hungari; Ch. G., 27 vjeç, banues në Itali; G. M., 20 vjeçe, banuese në Itali; P. S., 43 vjeç, banues në Çeki; S. S., 20 vjeç, banues në Tiranë; F. K., 27 vjeç, banues në Kosovë.
Këta shtetas vepronin si grup duke siguruar droga të ndryshme, të cilat i ndanin në doza dhe ua shitnin turistëve dhe pushuesve që po ndiqnin një festival të organizuar në plazhin e Delisufit, Vlorë.
Me cilësinë e provës materiale, Policia sekuestroi doza dhe tableta të lëndëve narkotike kokainë, MDMA, ekstazi, LSD dhe kanabis, 1800 euro të përfituara nga kjo veprimtari kriminale dhe 2 automjete.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme”, njofton policia. /ZËRI
Burimi