Fredi Beleri kërkon leje nga Burgjet për të marrë pjesë në mbledhjen e Parlamentit Europian

Fredi Beleri kërkon leje nga Burgjet për të marrë pjesë në mbledhjen e Parlamentit Europian

Fredi Beleri

TIRANË- Fredi Beleri, i cili tashmë e ka humbur postin e kreut të zgjedhur të Bashkisë Himarë, i ka bërë një kërkesë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Duke marrë parasysh se pas një jave zhvillohet mbledhja e parë e të zgjedhurve të Parlamentit Europian, Beleri ka kërkuar që të marrë pjesë për të bërë betimin. Të hënën e ardhshme, më 15 korrik, Beleri kërkon të marrë pjesë në Strasburg si i zgjedhur i partisë “Demokracia e Re” në Greqi. Si precedent, Beleri mori shoqërimin e tij në Komisioni Qendror të Zgjedhjeve ku u transferua nga burgu për në ambientet e KQZ-së, por nuk dihet nëse kërkesa e tij do të pranohet. Duke qenë se betimi do të bëhet në një shtet tjetër, eurodeputetit të zgjedhur mund t’i refuzohet leja për të dalë nga qelia.
Beleri u zgjodh si eurodeputet pasi ishte në listën e partisë së kryeministrit Kyriakos Mistotakis në Greqi, duke siguruar 237 mijë vota, të cilat e rankuan të katërtin më të votuar në shtetin helen. Votat i mori pa bërë asnjë ditë fushatë pasi që prej majit të vitit të shkuar, Beleri ishte burgosur me pretendimin se kishte blerë vota gjatë zgjedhjeve për Himarën. Lidhur me këtë çështje, së fundmi edhe Apeli e gjeti fajtor dhe e dënoi me 2 vite burg për korrupsion zgjedhor në zgjedhjet lokale të “14 majit”.
Ndërkohë që Beleri luftonte për lirinë, çështja e mandatit të tij si i zgjedhur për Himarën përfundoi në KQZ. Të premten, me pretendimin se kishte tashmë një dënim që duhet ta deklaronte në ligjin për dekriminalizimin, Belerit iu hoq mandati. Brenda ditës, presidenti Bajram Begaj shpalli dekretin për datën e re të zgjedhjeve, duke vendosur 4 gushtin. Dekreti nuk kaloi pa reagime, por Presidenca reagoi dhe u shpreh se ndërkohë, Beleri mund të ankimojë vendimin e KQZ në KAS dhe të presë vendimin. Megjithatë gjasat janë që edhe KAS të dalë me të njëjtin përfundim si KQZ. Teksa Beleri ende kërkon lirinë nga burgu, Partia Socialiste nga ana tjetër po bëhet gati për zgjedhje. Do të jetë prefekti i Vlorës (detyrë që do ta lërë) Vangjel Tavo ai që do të garojë nën siglën e PS-së për të marrë Bashkinë e Himarës, ndërsa Partia Demokratike dhe partitë e tjera opozita ende nuk kanë dalë me një emër./ZËRI
Burimi