Fredi Beleri flet për mediat greke: Do ta përballoj pjesën tjetër të dënimit sido që të jetë

Fredi Beleri flet për mediat greke: Do ta përballoj pjesën tjetër të dënimit sido që të jetë

Fredi Beleri

GREQI- Teksa ndodhet në Strasburg, ku do të marrë zyrtarisht mandatin e tij si eurodeputet, Fredi Beleri ka folur për mediat greke. Në një intervistë për, ANT1, Beleri tha se sot është një ditë “gëzimi dhe emocioni të madh”. Ai deklaroi se ndjen një përgjegjësi të madhe për të përmbushur pritshmëritë që janë krijuar, ndërsa në të njëjtën kohë falënderoi kryeministrin Kyriakos Mitsotakis dhe popullin grek për besimin që treguan tek ai. Madje ai tha se gjatë gjithë kësaj kohe ka marrë shumë mesazhe mbështetjeje.
Për të ardhmen e tij dhe nëse shpreson të dalë nga burgu, ai tha se duhet të paraqitet në burg të shtunën. “Kam bërë kërkesë për lirim nga burgu. Do të kthehem në Himarë, është shtëpia ime. Unë nuk do të largohem. Unë do të përballem me pjesën tjetër të dënimit tim sido që të jetë.” Ai theksoi se Himara është një vend i banuar nga grekë dhe shqiptarë, të cilët kanë bashkëjetuar prej shumë vitesh dhe kështu duhet të jetë. “Ne duhet të kemi të drejta civile. Të kemi të drejtën e vetëvendosjes”, tha ai.
Për shtetin ligjor në Shqipëri ai theksoi se “Shumë raste tregojnë se drejtësia dhe ndarja e pushteteve nuk funksionojnë. Shqipëria është një vend evropian gjeografikisht dhe dua të besoj edhe nga ana kulturore. Por lidershipi i saj nuk ka bërë asnjë përpjekje për t’iu afruar Bashkimit Evropian”.
Në fund, duke iu referuar detyrave të tij , ai theksoi se është diçka e paprecedentë për të dhe se do të kërkojë ndihmën e ish-deputetëve grekë. “Do t’ia dal me meritë”, deklaroi ai. 
Beleri la përkohësisht qelinë e burgut të Fierit ditën e hënë, ndërsa nuk u shoqërua për në Strasburg nga policia shqiptare. Lirimi i tij është justifikuar si një leje shpërblyese nga drejtoria e burgjeve, që më herët kishte refuzuar që Beleri të bënte betimin si kryebashkiak i zgjedhur i Himarës. Beleri do të qëndrojë jashtë qelisë nga data 15 deri në 20 Korrik.
Beleri u dënua me vendim të Apelit me 2 vite burg për korrupsion zgjedhor, duke i pamundësuar atij ushtrimin e mandatit si kryebashkiak i zgjedhur në Himarë. Megjithatë pas përfundimit të dënimit, atë e pret një detyrë e rëndësishme siç është ajo e përfaqësimit të Greqisë në Parlamentin Europian, nga radhët e Partisë Demokracia e re. /ZËRI
Burimi