
FOTO/ Tabulatet telefonike 30 minuta pas tragjedisë së Gërdecit, kush foli me kë

Gërdeci
TIRANË– Tabulatet telefonike që tregojnë bisedat mes familjes Berisha, Balliu dhe pronarëve të kompanisë së demontimit të armëve në Gërdec, janë në duart e Prokurorisë së Posaçme mes shumë provave të tjera, për të treguar implikimin e tyre në këtë tragjedi. Gazeta Tema ka publikuar pjesë të tabulateve, mes të cilave shihet edhe se Shkëlzen Berisha, djali i kryedemokratit Sali Berisha që ka folur në orën 12:48 minuta në telefon me biznesmenin Mihal Delijorgji.
Ky i fundit e ka ndarë shqetësimin për tragjedinë që ndodhi, bazuar në tabulatet e publikuara me bashkëshorten e tij, kunatin dhe Shkëlzen Berishën.

Tabulatet
Dosja e Gërdecit është ende në duart e SPAK.
Rihapja e çështjes ndaj Mediut u vu në lëvizje pas 12 vitesh me iniciativën e familjes së një prej viktimave të shpërthimit në mars 2008 në ambientet e ish “Brigadës së Tankeve”, me 26 humbje jete e qindra të plagosur. Sipas kërkuesve dhe SPAK, pas ndryshimeve ligjore të vitit 2012 dhe 2017, deputeti nuk ka më imunitet parlamentar për ndjekjen penale apo gjykimin e tij dhe për rrjedhojë nuk ekziston me asnjë pengesë për hetimin dhe gjykimin e Mediut, i cili akuzohet për “shpërdorim detyre”.
Seanca e fundit është mbajtur më datë 4 mars, ditë që u mor vendimi për shtyrjen. Shkak u bë kërkesa e prokurorëve Arben Kraja dhe Klodian Braho, të cilët duhej të merrnin pjesë në procese të tjera gjyqësore dhe nuk do të ishin të pranishëm në sallë.
Ish-ministri i Mbrojtjes kundërshtoi gjetjet e ekspertëve ushtarakë në lidhje me masat që duhej të merreshin për demontimin e municioneve në Gërdec. Mediu dhe mbrojtja e tij kishin përgatitur një material prej 147 faqesh, përmes të cilit kundërshtonin gjetjet e ekspertëve.
Ndërsa më 9 tetor, GJKKO refuzoi kërkesën e Mediut për riekspertim pjesor për kostot e dëmit financiar të shkaktuar në Fabrikë. SPAK deklaron nga akti i ekspertimit financiar dalin dëmet e shkaktuara nga veprimet dhe mosveprimet e Mediut, gjë që sipas organit të akuzës provon shpërdorimin e detyrës prej tij. Këto pretendime janë kundërshtuar nga Mediu.
Tashmë seanca e radhës pritet të mbahet më 18 mars në orën 12:00./ZËRI