
“Etje për pushtet…”/ Famullitari i Kishës Katolike në Shkodër: Politikanët shqiptarë, shtresa më injorante

Dom Vlash Palaj
SHKODËR– Korrupsioni shtetëror ka qenë pjesë e meshës të së dielës në Kishën Katolike të Shkodrës. Kreu i Famullisë, Dom Vlash Palaj, ka mbajtur një fjalim të fortë para besimtarëve. Gjatë meshës, Dom Vlash Palaj është shprehur se korrupsioni i ka çuar në burg politikanët, ndërsa e cilëson veprën penale gjithashtu një “mëkat të rëndë”. Por në fjalën e tij, Palaj nuk përmendi asnjë emër.
“Vëreni këta politikanët tanë! Me këtë situatë që është krijuar, nuk bëjnë gjë tjetër veçse tregojnë cfare jane, dhe më vjen keq për ta, sepse më duken shtresa më injorante dhe më e ulët e popullit shqiptar. Nuk është problemi te ajo që mbledhin, por nxjerrin në pah varfërinë e shpirtit të tyre. Atë mizerien e brendshme. Njerëz të cilët jetojnë vetëm për të pasur diçka dhe shpërfytyrojnë natyrën e tyre duke përfunduar në burg. Si more, në burg ti? Të kemi votuar për të na bërë mirë. S’kemi problem, bëni mirë edhe për veten tuaj, por mos abuzoni deri në atë pikë sa të na merrni në qafë. Sa të na hiqni bukën e gojës, sidomos atij që lufton ashpër çdo ditë vetëm për bukën e përditshme.
Aty është e pafalshme. Mëkati të çon në vdekje, prandaj mëkati i korrupsionit të çon në burg. Të çon në burg! Thotë Krishti, herët a vonë, çdo gjë do të dalë në dritë. Kanë etje për pushtet të shkretët, prandaj devijojnë. Si nuk doli një të thotë: ‘Kam etje për të shërbyer’?,”-tha Dom Palaj.
MOMENTI ME VIDEO: