E rilindur nga “hiri” i saj, Notre-Dame de Paris hap dyert pas 5 vitesh
Notre Dame
PARIS- 5 vjet pas natës së makthit që përfshiu në flakë një nga monumentet më ikonike të Evropës, Notre Dame po rihap dyert e saj për publikun. Katedralja gotike ka rilindur nga hiri i saj falë një projekti restaurues prej 700 milionë eurosh. Vetëm disa ditë përpara se Notre Dame të rihapë dyert e saj për vizitorët më 7 dhjetor, presidenti francez Emmanuel Macron vizitoi godinën për të inspektuar ecurinë e punës.
“Kisha është më e bukur se më parë,”- tha Emmanuel Macron për mediat franceze.
Notre Dame
Djegia e monumentit të trashëgimisë franceze ndodhi mbrëmjen e 15 prillit 2019, kur çatia e katedrales u përfshi nga flakët. Së shpejti, zjarri kishte përfshirë majën dhe gati sa nuk rrëzoi kambanoret kryesore. Në të gjithë botën, njerëzit panë të tmerruar teksa digjej ndërtesa mesjetare. Çatia u shemb por kambanoret dhe fasada u shpëtuan.
Edhe sot, 5 vjet më vonë, nuk dihet se çfarë e shkaktoi saktësisht zjarrin.
Autoritetet franceze vlerësuan se shkak për zjarrin mund të ketë qenë një defekt elektrik ose një cigare e ndezur.
Kur mund ta vizitoni?
Katedralja vlerësohet të mirëpresë 14 deri në 15 milionë vizitorë çdo vit. Ka një debat të madh në Francë nëse vizitorët duhet të fillojnë të paguajnë për të hyrë. Kjo pasi deri tani hyrja është falas. Kisha, megjithatë, është kundër vendosjes së pagesës./ZËRI
Burimi