E rëndë në Greqi, sulmohet me molotov banesa e kreut të Gjykatës së Lartë, plagoset efektivi
Pamje nga zjarri qe shkaktoi shperthimi me molotov
GREQI- Një ngjarje e rëndë ka ndodhur gjatë natës në Greqi, ku është sulmuar pak pas mesnate shtëpia e kreut të Gjykatës së Lartë, e vendosur në një zonë rezidenciale të Athinës. Persona ende të paidentifikuar nga policia, kanë hedhur sende të forta dhe bomba molotov në drejtim të banesës duke lënduar një efektiv policie që ishte në shërbim dhe shkatërruar makinën e patrullës.
Efektivi i lënduar mori plagë në duar dhe fytyrë dhe u dërgua me urgjencë në spital, teksa autorët e këtij sulmi u larguan në drejtim të paditur.
Deri në këto momente nuk ka asnjë person të dyshuar për këtë ngjarje, apo arsyet e sulmit ndaj shtëpisë së kryetarit të Gjykatës së Lartë.
Zëdhënësi i qeverisë, Pavlos Marinakis reagoi menjëherë për këtë ngjarje dhe kërkoi që autorët të vendosen sa më shpejt përpara drejtësisë.
“Dënojmë pa mëdyshje aktin kriminal të sulmit me molotov në shtëpinë e kryetarit të Gjykatës së Lartë, ku u plagos edhe një polic. Republika jonë dhe shtyllat e saj, si Gjyqësori dhe zyrtarët e saj, nuk janë të frikësuar. Arrestimi i menjëhershëm i autorëve është prioritet absolut i autoriteteve. Policit të plagosur i urojmë shërim të shpejtë”, tha ai.
Një dëshmitar okular përshkruan momentin e sulmit për protothema.gr:
“Gjithçka nisi në orën 00:40. Unë isha në banesë kur dëgjova zhurmë në rrugë. U dëgjuan të bërtitura, ishte polici ai që mbante përgjegjësi për sigurinë e shtëpisë së kryetarit të Gjykatës së Lartë. Zbrita poshtë, mora zorrën dhe po mundohesha të shuaja zjarrin me dy fqinjët e tjerë. Zjarri u përhap me shpejtësi dhe dogji një pemë. I plagosur ka mbetur polici i cili ka tentuar ta shuajë zjarrin. Ai ka pasur djegie në duar dhe fytyrë, është dërguar me makinën e policisë drejt spitalit”./ZËRI
Burimi