Droni në burgun e Burrelit, autoritetet kontrollojnë listat e të dënuarve që kërkuan ajrim

Droni në burgun e Burrelit, autoritetet kontrollojnë listat e të dënuarve që kërkuan ajrim

Foto ilustruese

BURREL- Në burgun e Burrelit gjatë ditës së djeshme u ndalua një dron, i cili dyshohej se komandohej nga grupe kriminale për të marrë pamje nga burgu i sigurisë së lartë. Prokuroria e Dibrës dhe Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm pranë Ministrisë së Drejtësisë lajmëruan se po merren masa dhe po bëhen kontrolle në listat e të burgosurve që kërkuan të dalin në ajrim.
Ndërkohë prokurori i çështjes ka kërkuar që droni të dërgohet pranë policisë shkencore në Tiranë, në mënyrë që të kryhet ekspertiza e nevojshme. Autoritetet dyshojnë se droni është përdorur për të mbledhur pamje nga brenda burgut. Po ashtu, drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve Klevis Qose i ka kërkuar autoriteteve të kryejnë kontrolle çdo 20 minuta edhe gjatë perimetrit të jashtëm të burgjeve.

Drejtoria e Burgjeve bëri me dije se droni i kapur nuk përmbante sende të ndaluara, por hetimet tregojnë një tendencë të grupeve kriminale për të marrë pamje nga brenda burgjeve të sigurisë së lartë, me qëllim mbledhjen e informacioneve për veprimtari të mëtejshme të paligjshme.
Pajisja fluturuese do t’i nënshtrohet ekspertimit daktiloskopik me qëllim identifikimin e gjurmëve papilare, dhe më pas ekspertimit kompjuterik për të identifikuar numrin IMEI dhe çdo informacion të administruar nga kjo pajisje. Nuk dihet nëse pamjet do të përdoreshin për të organizuar ndonjë atentat, arratisje të mundshme, apo për të futu sende të pajueshme. /ZËRI
Burimi