Dogjani ‘mësyn’ në foltoren e Kuvendit, e bllokon Garda! Spiropali dhe Tabaku ‘përplasen’ për korrupsionin dhe… Kafkën
Pamje nga debati
TIRANË- Po zhvillohet me tensione seanca plenare e kësaj të enjteje. Deputeti i Partisë Demokratike, Asllan Dogjani është përplasur me ministren e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali dhe nënkryetaren e Kuvendit, Ermonela Felaj, ndërsa në një moment është ngritur nga vendi duke tentuar të marrë fjalën në foltore, por që ndërhyri Garda e Republikës. Ndërkohë tensione dhe replika pati dhe mes deputetes demokrate, Jorida Tabaku dhe Spiropalit. Përpos akuzave politike, një pikë e fortë e debatit ishte dhe autori “Kafka”, të cilin zonjat pretendonin se nuk e kanë cituar mirë. Ndërsa në debat ka ndërhyrë dhe socialisti Erion Braçe.
Debati:
Asllan Dogjani flet pa mikrofon: Mos më qaj kokën.
Ermonela Felaj: E di që jeni moskokëçarës.
Asllan Dogjani drejtohet drejt foltores dhe bllokon foltoren, ndërhyn Garda.
Ermonela Felaj: Fjalën e ka kolegia që po qëndron në këmbë (Jorida Tabaku)
Asllan Dogjani flet pa mikrofon.
Ermonela Felaj: Uluni, uluni dhe mos na bëni skena këtu në Kuvend.
Jorida Tabaku: Të nderuar kolegë aq dobët janë sa as fjalimet me ‘’pathos’’ të Elisës nuk bëjnë më punë. Më bëri kolegia të ndihem keq se fola për një bashkësi hajdutësh të Kafkës që po bien një e nga një, që dje merrnin vendime këtu e sot janë pas hekurave. Ju keni përgjegjësi nga i pari tek i fundit që jeni bërë mburojë e korrupsionit. Kemi folur disa herë për Shëndetësinë dhe keni qenë ju që e keni mbrojtur. Hajdutët në kërkim keni mbrojtur dhe sot e hedh përgjegjësinë tek ne? Nuk më intimidon dot. Sot Shqipëria ka nevojë për një ndryshim cilësor që nuk vjen më nga kjo qeverisje. Ne na ndan një lumë i tërë me korrupsionin që jeni zhytur të gjithnjë e më shumë dhe me llumin që jeni zhgërryer të gjithë.
Asllan Dogjani: Unë në fakt nuk kam personale as me Elisën dhe me askënd tjetër.
Elisa Spiropali ngrihet nga vendi dhe flet pa mikrofon.
Asllan Dogjani: Po flasim për një situatë skandaloze në spitalet e Shqipërisë, por kryesisht në Tiranë. Kemi rastin e Sterilizimit.
Ermonela Felaj: Mund të vini tek arsyeja për të cilën e keni marrë fjalën.
Asllan Dogjani: Kemi rastin dhe këtu, lista e barnave të rimbursueshme, mungojnë shtretërit. Kjo është situata në shëndetësi. Njerëzit po vdesin dhe ministrja e krahason situatën me vitin 2013.
Ermonela Felaj: Nuk mund të përdorni fjalën replikë për të bërë krtizierin. (I mbyll mikrofonin).
Ermonela Felaj: Ju lutem uluni. Mos abuzoni se këtu ka kolegë që rrinë nga mëngjesi për të folur.
Elisa Spiropali: Të kesh vetëvlerësim të lartë është gjë e mirë por të kesh vetëvlerësim aq të lartë sa të mendosh se po ta dëgjojnë fjalën në foltore dhe po dërgojnë mesazhe nga lart për të tu përgjigjur, jo vetëm e vetëm që nuk të shohin dhe mesazhe nuk nisin, por shumë pak njerëz ju dëgjojnë. Nuk është nevoja të marrësh mesazhe për të iu përgjigjur ju. Nuk është e vështirë ti përgjigjesh një njeriu që këndon nga mëngjesi në darkë jo krimi jo çeta e hajdutëve, ngatërron dhe autorët.
Erion Braçe: Unë nuk e di se sa herë e kam thënë këtë gjë, por sot kjo u bë sebep dhe për tejkalim etike. Kur ngrihesh në sallën e Kuvendit dhe drejton dorën dhe thua të gjithë, jo vetëm që nuk ke të drejtë por iu bie në qafë të gjithëve. Faji kur ndodh është individual. Kafka, nuk po i hyjë meritës së përmbajtjes së tij në këtë rast se zonja Spiropali e vë në dyshim përmbajtjen, nuk dua ti ha hakun Kafkës, por Kafka ka jetuar në të shkuarën dhe jo vetëm në të tashmen. Sa kohë ka jetuar në të shkuar është një listë e gjatë me çfarë ka ndodhur në të shkuarën dhe nuk është ndëshkuar kurrë. Kur themi duhet të ndodhë një ndryshim cilësor, po ndryshim cilësor është ku që po ndodh dhe që ka të bëjë me barazinë para ligjit dhe vënien para përgjegjësisë të gjithë atyre që shkelin ligjin./ZËRI
Burimi