Dialogu Kosovë-Serbi/ Kurti dhe Vuçiç do të takohen më 26 qershor në Bruksel

Dialogu Kosovë-Serbi/ Kurti dhe Vuçiç do të takohen më 26 qershor në Bruksel

Fotografi e realizuar gjatë një rundi bisedimesh në Bruksel mes udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë.

BRUKSEL- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç do të takohen më 26 qershor në Bruksel, për të zhvilluar rundin e ri të dialogut për normalizim të raporteve, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian. Lajmi është konfirmuar nga zëdhënësi i Bashkimit Europian, Peter Stano. Nga Zyra e kryeministrit Kurti thanë shkurt për Radion Evropa e Lirë se fokusi kryesor i takimit do të jetë zbatimi i Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit të raporteve, Aneksi për zbatimin e saj “dhe rruga përpara”.
Ndërkohë, Brukseli ende nuk ka dhënë detaje në lidhje me axhendën e takimit të dy liderëve. Ky takim i nivelit të lartë në kuadër të dialogut do të ndërmjetësohet nga përfaqësuesi i lartë i bllokut për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, dhe i dërguari i posaçëm për dialogun, Mirosllav Lajçak. Për mbajtjen e rundit të ri të dialogut është rënë dakord gjatë vizitave që Lajçak zhvilloi në Kosovë dhe Serbi gjatë kësaj jave.
Për herë të fundit, Kurti dhe Vuçiç u takuan në Bruksel më 14 shtator të vitit 2023, kur diskutuan për zbatimin e Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit të raporteve, por ky takim rezultoi pa ndonjë përparim, për shkak të qëndrimeve kontradiktore të palëve.
Disa ditë më vonë, më 24 shtator, një grup i serbëve të armatosur sulmuan policinë e Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit, në veri të Kosovës, duke vrarë efektivin Afrim Bunjaku. Gjatë përleshjeve që pasuan u vranë edhe tre sulmues serbë. Kosova e akuzon Serbinë se qëndron prapa sulmit, por Beogradi mohon se ka gisht në të.
Që atëherë, Perëndimi është përpjekur disa herë të bindë Kurtin dhe Vuçiçin që të ulen në tryezën e bisedimeve për të diskutuar për hapat për zbatimin e marrëveshjes. Kjo marrëveshje, e cila u arrit vitin e kaluar, nuk është nënshkruar nga palët, por BE-ja thotë se ligjërisht e obligueshme për Kosovën dhe Serbinë. Kosova kërkon që të nënshkruhet marrëveshja, por Serbia refuzon një gjë të tillë./ZËRI
Burimi