
‘Dëshiron ta mbyllë angazhimin’/ Rama lajmëroi tërheqjen, Vullnet Sinaj “ndryshon mendje”, garon sërish në Vlorë
Vullnet Sinaj dhe Edi Rama
TIRANË- Ky duhet të ishte mandati i fundit për Vullnet Sinaj, por duket se socialisti ka zgjedhur që të garojë sërish për deputet. Sipas listës shumëemërore të kandidatëve për deputetë për qarkun e Vlorës, të prezantuar nga drejtuesi politik Bledi Çuçi, duket se Sinaj kërkon një mandat tjetër. Por me një ndryshim!
Më 11 maj, Vullnet Sinaj do të vendoset në listën e hapur dhe do të duhet të thyejë herësin e Vlorës për të fituar mandatin e tij të tretë nën siglën e Partisë Socialiste. Lajmin për largimin e tij nga politika e dha kryeministri Edi Rama në mbledhjen e fundit të Kongresit të Partisë Socialiste. Madje teksa Rama fliste, Sinaj u përlot.
Vullnet Sinaj
“Fatmirësisht i kemi deputetët pa të cilët kemi arritur shumëçka në këtë mandat të tretë dhe I kemi dhe deputetët që nuk mungojnë as kur duhet të ulen në karrige për të marrë vendime, e as kur duhet ti japin këmbëve për të takuar zgjedhësit. Vullnet Sina është njëri prej tyre. I ka në rregull punët e veta, do të thuhej në kafene. Por Vullneti I ka pasur në rregull edhe më përpara. Nuk është I vetmi por se paradisakohësh më tha se dëshiron të mbyllë angazhimin e tij. Kurrë nuk më ka shqetësuar për asgjë personale por nuk e ka pasur problem të më shkruaj pas mesnate duke u kthyer I lodhur në një nga zonat më të thella e të vështira ku ka bërë më shumë se qeveria. Shembull të tillë nuk na mungojnë. Mbi shembuj të tillë do të ndërtojmë skuadrën e radhës, ku do të hyjmë jo thjesht për të marrë mandatin e katërt por për të marrë fitoren më shembullore,”-tha Rama disa muaj më parë.
Por mesa duket Sinaj ka ndërruar mendje dhe ka vendosur të garojë edhe këto zgjedhje./ZËRI
Burimi