“Dado në konflikt interesi”/ Veliaj flet nga burgu: S’e kam menduar arratisjen

“Dado në konflikt interesi”/ Veliaj flet nga burgu: S’e kam menduar arratisjen

Erion Veliaj

TIRANË- Kryebashkiaku Erion Veliaj ka dhënë intervistën e tij të parë nga burgu. Gjatë intervistës së tij për “Report TV’, Veliaj ka folur për akzuat ndaj prokurorit të SPAK, Ols Dado, ku është shprehur se kanë interes konflikti. Kryebashkiaku u shpreh se ai dhe Partia Socialiste e mbështesin drejtësinë, por prokurorët po abuzojnë me mirëbesimin e dhënë. Më tej, Veliaj shtoi se nuk e ka menduar asnjëherë arratisjen e tij dhe është kthyer në Shqipëri gjatë hetimeve.
Ndërsa, për kreun e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani, kryebashkiaku u shpreh se po përdoret nga vartësit për interesat e tyre personale.
Intervista e plotë:
Pyetje: Tre javë nga izolimi në qeli. Si i përgjigjeni atyre që ju kanë vënë në të njëjtën anë me Sali Berishën dhe Ilir Metën, të cilët sulmojnë SPAK? A nuk është reforma në drejtësi karta më e fortë që “bërtet” PS?
Erion Veliaj: Jam larg Saliut dhe Metës sa temjani nga djalli. As kam pasur blloqe për të vrarë 4 vetë me plumba në mish në 21 Janar, as kam pasur djalë të pjekë të gjallë 26 vetë në Gërdec. Pikë! Diferencë e madhe kjo.
Partia Socialiste nuk bërtet, se kjo e jona nuk është parti tallagjare. Patjetër, ndihemi mirë që vendi ka një drejtësi të pavarur. Tani duhet parë si penetruan në majën e drejtësisë juristë me 5-a, me licencë noteri nga babi, e emërim si prokuror nga e shoqja.
Ky është një abuzim me besimin që Partia Socialiste i dha sistemit. Dhe kjo meriton reflektim, janë prishur ligjet e fizikës. Tipikisht, ajka rri lart e llumi poshtë! Këtu llumi me 5-a është lart, e ajka me 10-a ose ka dalë nga sistemi, ose është në burg.
Pyetje: A është në konflikt interesi me ju prokurori Ols Dado? Përgjatë një viti hetimi, pse nuk reaguat? A ka pasur më herët komunikime ndërpersonale me ju prokurori?
Erion Veliaj: Olsi Dado është në konflikt interesi 24h në 24! Ka kërkuar si Gobsek i pangopur metra shtesë, që nuk i takojnë, dhe nuk i ka marrë. Unë më mirë bëj burg të padrejtë, se të shkel ligjin, që Olsi të marrë kate shtesë, që nuk i takojnë, te Rruga e Kavajës.
S’kam reaguar për 1 vit hetim? Po unë jam shpallur në hetim ditën që jam ndaluar. Ols hileqari as nuk e regjistroi emrin, as veprën! Si të reagoja në parathënie? Më akuzon Nesti Angoni që s’ekziston, më shpallin “i dënuar” që në faqen e parë të dosjes dhe më thonë “nuk pendohet” në faqen e fundit. Kujt politikani tjetër i është bërë 20 vjet veting? Mbi ç’bazë? Nga 24 deri në 44 vjeç!
Po! Ka pasur komunikime. E pranoi edhe vetë në seancë! Siç pranoi edhe “se ta tregoj unë ty, e di ku vete”.
Ku është parë kjo që një noter nga babi me 5-a, gdhihet prokuror nga krevati dhe i thotë kryetarit të Bashkisë “ta tregoj unë ty”, që s’me dhe metrat e babëzisë së madhe?
Pyetje: Si qëndron e vërteta e arratisjes apo prishjes së provave për të cilat flitet se ju do të prishnit procesin?
Erion Veliaj: Çfarë arratisje? Isha në Gjermani më 6 Dhjetor dhe erdha; në SHBA në 31 Dhjetor dhe 21 Janar dhe erdha! Tre herë kam provuar se as iki, as tutem nga ky persekutim.
Cilat prova do prish? Këtu prova quhen lodrat e djalit; i ka Olsi, të luajë gjithë ditën si kalama me lego. Provë quhet Instagrami, aty i ka! Kjo është çmenduri, një ndërtues i babëzitur po bën lolo gjithë sistemin e drejtësisë.
Pyetje: Kush është Nesti Angoni sipas Erion Veliajt?
Erion Veliaj: Nesti Angoni? Kjo s’ka fare rëndësi! Mund të jetë një sajesë e vetë këtyre që hesapet personale i lajnë me vulën e logon e Shtetit. S’i kam bërë kurrë kujt keq. Jam zgjuar çdo mëngjes këto vite që të bëj mirë: të bëj çdo ditë një shkollë, një kopësht, një çerdhe, një park, një rrugë, një shesh, një qendër sociale! S’mbaj mend të kem pushuar një fundjavë, i kam rënë në qafë familjes sime, si e si të ndihmoja mijëra njerëz, sa kam pasur mundësi.
Por, Nesti Angoni e Ols Dado janë të pangopur; s’ja kam dalë t’i nginj me sa duket.
Por, kjo nuk është më e rëndësishmja! Sot në SPAK ka edhe 2 kallëzime të tjera nga Nesti Angoni, dhe bravo i qoftë! Për sa kohë kaloi e para, tani u normua ekzekutimi publik i kundërshtarit me letra anonime e veting pa ligj për 20 vite; 7,300 ditë të jetës së një njeriu.
Pyetje: Pse nuk keni përmendur në asnjë reagim tuajin Altin Dumanin?
Erion Veliaj: Sepse ende lus Perëndinë që një ditë do kuptojë se si po përdoret nga vartësit mediokër e hakmarrës për hesapet e tyre personale. Po e përdorin si Pilatin për Barabën. Zoti e ndriçoftë!
Kryebashkiaku Erion Veliaj u arrestua me urdhër të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa është lënë në “detyrim paraqitjeje”. Veliaj akuzohet për korrupsion në 9 raste dhe pastrim parash, ndërsa Xoxa për korrupsion në 9 raste, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Në pranga është vendosur edhe biznesmeni Elman Abule, ndaj të cilit rëndon akuza e pastrimit të parave. Në “detyrim paraqitje” janë lënë edhe 5 biznesmenë: Gentian Sula; Fatmir Bekteshi; Shkëlqim Fusha; Sokol Kryeziu dhe Meriman Palushi./ZËRI
Burimi

Ky lajmë ka
0 Komente