Censi2023/ Shqiptarët s’rrinë dot pa TV, panelet diellore tendenca e re…por bëjnë edhe pa tharëse rrobash
Foto ilustruese
TIRANË- Shqiptarët, televizorin e kanë pajisje të pazëvendësueshme në shtëpi. Sipas të dhënave të Censit 2023, 96% kanë televizor, frigoriferë, lavatriçe dhe celularë. 74% e shqiptarëve kanë internet në shtëpitë e tyre, e po ashtu është vënë re edhe një tendencë e re: rritja e personave që kanë blerë panele diellore. Por duket se shqiptarët kanë shumë pak interes për të pasur një telefon fiks në shtëpi, por edhe një tharëse rrobash.
3.1.3 Pronësia, pajisjet afatgjata dhe shërbimet
NjEF në Shqipëri zotërojnë më së shumti pajisje afatgjata kryesore si: televizorë, frigoriferë, telefon celular dhe lavatriçe, të paktën nga 96 përqind e NjEF (Figura 3.3). Pjesa më e madhe e NjEF, më shumë se 74 përqind kanë sistem fizik të lidhjes së internetit10. Qasja në teknologjinë e informacionit dhe komunikimit është rritur ndjeshëm që nga censi i kaluar. Zotërimi i televizorëve (5,6, pikë përqindje), TV dekoder (55,9 pikë përqindje), kompjuter ose laptop(8,3 pikë përqindje) dhe telefon celularë (9,4 pikë përqindje). Lidhja fizike e linjës së internetit ka shënuar rritje të konsiderueshme krahasuar me censin e mëparshëm, me 62,2 pikë përqindje. Ndërsa, zotërimi i telefonit fiks ka rënie të konsiderueshme, nga 28,5 përqind në 8,5 përqind të NjEF. Njëkohësisht rritja e ndjeshme e pajisjeve të tjera afatgjatë në censin 2023 tregon përmirësim të dukshëm të kushteve të jetesës të NjEF në Shqipëri, krahasuar me të dhënat e cens 2011. Veçojmë, kondicionerët (27,5 pikë përqindje), mikrovalë (13,9 pikë përqindje) dhe pjatalarëse (9,3 pikë përqindje). Një tendencë e re, është rritja e ndjeshme e zotërimit të paneleve diellore nga NjEF, ku 11,4 përqind e e tyre zotërojnë panele diellore krahasuar me 2,7 përqind në censin e mëparshëm. Afërsisht gjysma e NjEF në Shqipëri (44,4 përqind) zotërojnë ose përdorin makinë, një rritje e konsiderueshme me 19,6 pikë përqindje krahasuar me censin e vitit 2011./ZËRI
Burimi