
Ç’dimë nga tragjedia e Koçanit? Dera e emergjencës ishte bllokuar, 23 të arrestuar, mes tyre edhe zyrtarë
Koçan
KOÇAN- Një ditë pas tragjedisë në Koçan që tronditi Maqedoninë e Veriut janë lëshuar disa urdhër-arreste dhe po vijnë hetimet për zbardhjen e plotë të kësja ngjarje. Autoritetet maqedonase kanë arrestuar 23 persona si të dyshuar për përfshirjen në tragjedinë e 16 marsit, mes tyre zyrtarë dhe pronari i klubit të natës. Në mesin e të arrestuarve është ish-ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, ish-drejtori për Menaxhim me kriza, Bekim Maksuti dhe ish-sekretarja shtetërore Razmena Çekiç Duroviç. 11 persona ndodhen në paraburgim mbi dyshimet për vepra të rënda penale kundër sigurisë së përgjithshme dhe nxitje e rrezikut të përgjithshëm.
“Është arrestuar pronari jo formal i klubit, shitësi i biletave, katër persona si truproje, drejtuesi i agjencisë për sigurim, pronari i objektit ku ka funksionuar klubi, tre persona nga Inspektorati Shtetëror i Tregut, një nga Inspektorati i Punës dhe një person tjetër që ndërlidhet me rastin”, tha ministri i Brendshëm, Pançe Toshkovski.
Toshkovski tha se gjatë hetimit është konstatuar se klubi ka funksionuar me dy aparate kundër zjarrit, nuk ka pas derë evakuimi, mjetet piroteknike janë përdorur në kundërshtim me ligjin, koncerti është mbajtur në kundërshtim me ligjin pa marrëveshje mes palëve. Toshkovski deklaroi se policia nuk ka detyrim ligjor për t’i siguruar objektet e tilla. Lidhur me rolin e policisë brenda objektit, ai tha se në hetim janë përfshirë edhe zyrtarë të MPB-së.
Sipas hetimeve të policisë, zjarri ka ardhur si pasojë e fishekzjarrëve, që janë sjellë nga grupi muzikor. Personi që ishte i dyshuar për këtë vepër ka ndërruar jetë.
“Secili që ka faj të drejtpërdrejtë ose jo të drejtpërdrejtë lidhur me këtë rast do të mbahet përgjegjës. Secili, e përsëris secili sipas ligjit. A vlen kjo për kryetarin e komunës? Kjo vlen për secilin”, theksoi Toshkovski.
Sipas “Alsat”, nga hetimet është konstatuar se objekti nuk ka pasur asnjë rrjet hidratimi dhe as mjete funksionale hidratimi. Nuk ka pasur aparate kundër zjarrit në raport me hapësirën brenda të cilës ka funksionuar. Nuk ka pasur dy dyer për evakuim ashtu siç parashikohet në ligj por ka pasur një derë të improvizuar metali në pjesën e pasme por ishte e mbyllur dhe e izoluar me mjete për të ndaluar përhapjen e zhurmës.
Gjithashtu, nuk kishte vend për qasje në të dyja anët për makinat e zjarrfikësve sipas rregullave dhe protokolleve. Objekti brenda ka qenë i ndërtuar me gips dhe nuk ka pasur shtresë mbrojtëse nga zjarri. Nuk ka pasur as sistem për njoftimin e njerëzve në rast alarmi.
Të gjitha këto i ka vërtetuar edhe hetimi i Prokurorisë Publike nga ku kanë dhënë urdhrin për arrestimin e gjithsecilit që është i përfshirë dhe mbajtjen në paraburgim afatshkurtër.
Maqedonia e Veriut dhe Koçani janë të tronditura një ditë pas tragjedisë së disko, e cila la pas të paktën 59 të vdekur dhe më shumë se 155 persona të plagosur. Në qytetin e Koçanit mbizotëron heshtja, ndërsa banorët kanë ndezur qirinj në parkun e qytetit deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme për të vrarët nga zjarri në diskotekën “Puls”. Viktima më e re ishte vetëm 14 vjeç. Deri më tani janë ndaluar 19 persona, mes të cilëve edhe zyrtarë shtetërorë, ndërsa mbrëmë janë caktuar masa e paraburgimit për dhjetë persona. Disa nga të dyshuarit janë lënduar nga zjarri dhe ndodhen në spital./ZËRI
Burimi