Biznesi, politika dhe drejtësia! Kush janë emrat që nuk janë të barabartë para ligjit
Edison Elezaj, Tonato Fushaj, Eralbi Breçani, Rexhep Rraja dhe Nikollaq Neranxi
TIRANË- Vera e nxehtë e vitit 2024 solli jo vetëm rritjen e temperaturave që kanë kapur kulmin këtë vit, por dhe gjaknxehtësinë e djemve të biznesmenëve të ndryshëm apo të të ‘fortëve’ që me një armë zjarri kërkojnë të ruajnë reputacionin në kryeqytet dhe jo vetëm.
Nuk kanë qenë të paktat rastet kur këta persona, veshur me këmisha e xhaketa dhe që mbajnë mbiemrin e ngritur prej vitesh, janë renditur në njoftimet zyrtare të Policisë së Shtetit, por i kanë zgjedhur në distancë punët me drejtësinë.
ZËRI do t’ju risjellë sot një sërë dosjesh që janë mbuluar nga pluhuri apo janë zgjidhur në distancë me drejtësinë, por publikisht nuk ka asnjë informacion për mënyrën se si janë mbyllur.
Më i fundit është rasti që përfshiu djalin e biznesmenit Hajri Elezaj, Edison Elezaj.
I ndodhur në një festë ditëlindjeje në një tjetër restorant luksoz që mbahet për klientelën “VIP”, “Savoy Garden”, Edison Elezaj, djali i pronarit të kompanisë “Uji Lajthiza”, shkrepi armën dhe plagosi tre persona, të tre anëtarë të një familjeve, dy vëllezërit dhe motrën e tyre.
Zyrtarisht pas zbërthimit të ngjarjes nga ZËRI, Policia e Shtetit bëri një njoftim zyrtar,në të cilin shpalli në kërkim Elezajn për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”, parashikuar nga neni 88/2 i Kodit Penal.
Dy persona të tjerë, Dardan Zalli dhe Arjan Dushaj janë arrestuar pasi akuzohen se kanë fshehur armën që përdori Elezaj si dhe vetë 32-vjeçarin.
Mirëpo, nga kjo ngjarje ka kaluar më shumë se një muaj dhe nga ana e autoriteteve nukështë bërë me dije asnjë detaj për vijimin e çështjes.
A vijon Elezaj të jetë në kërkim?
A ka dalë nga Shqipëria për të shmangur përballjen me drejtësinë?
A është kaq e vështirë kapja e një 32-vjeçari që zyrtarisht jeton në Tiranë apo mbiemri që mban është një ‘klauzolë lehtësuese’ për të?
Një tjetër emër i njohur në fushën e biznesit, Nikollaq Neranxi.
Biznesmeni i njohur Nikollaq Neranxi është denoncuar nga ish- gruaja e tij pranë Komisariatit nr 6 në Tiranë për dhunë sistematike ndaj saj. Gazetarja Aida Topalli e ftuar në Dritare TV, raportoi në mars të vitit 2024 se ish-bashkëshortja e zotit Neranxi, Nurie Neranxi e ka akuzuar këtë të fundit, për dhunë sistematike ndaj ka kërkuar edhe urdhër-mbrojtjeje. Në dëshminë e saj, ish-gruaja ka thënë se Neranxi e kishte dhunuar verbalisht dhe fizikisht, aq sa i ka prerë edhe gishtat.
Mirëpo, kjo ngjarje nuk u pasua me arrestimin e biznesmenit, por vetëm me hetimin e tij. Nëse i njëjti kallëzim apo padi do të ishte bërë kundrejt një tjetër qytetari, sot ai do të ishte në pranga.
Eralbi Breçani është gjithashtu një emër që vijon të jetë në kërkim për trafik ndërkombëtar droge, djali i një ish-zyrtari të rëndësishëm në Policinë e Shtetit.
Në dosjen “Metamorfoza 2”, u ‘sakrifikua’ vetë ish-zëvendësdrejtori i Policisë Erzen Breçani, i cili u arrestua, por tetë muaj pas vendosjes së tij në pranga, u lanë masën “arrest shtëpie”.
Gjatë kohës së qëndrimit në qeli, në disa raste Breçani kërkoi lirinë, me pretendimin se vuante nga klaustrofobia.
Eralbi Breçani vijon të jetë ende në kërkim pasi akuzohet se bashkëpunonte me Ervin Matën për trafik ndërkombëtar kokaine.
A do të lihet në harresë kjo çështje?
Tonato Fusha, djali i biznesmenit dhe ish-presidentit të Vllaznisë Valter Fushës, vetëm 20 vjeç, së bashku me shokune tij Bajram Çerkoja i bënë atentat Alban Bruçit në vitin 2022.
Fusha dhe Bruçi kishin pasur një konflikt të mbartur që në vitin 2020, por edhe kjo çështje u mbyll me prangosjen e Çekorjas, i cili u prangos në Tiranë.
Tonato Fusha mbeti i ‘paprekshëm’.
Një familje që kanë pasur histori të shumta të bëra publike janë edhe fisi Rraja. Me lidhje të forta në fushën e biznesit dhe në politikë, duke qenë se Rrahman Rraja ka qenë deputet i Partisë Socialiste, djemtë e tyre janë përfshirë në konflikte të herëpashershme, por kanë dalë ‘pa u lagur’.
I pari ka qenë Rexhep Rraja, i cili bëri xhiron e çdo emisioni prime-time kur ish-e dashura e tij Xhisiela Maloku e denoncoi për dhunë. Në këtë çështje u përfshinë shumë emra të tjerë dhe u miksua me politikë, por Rexhepi shijonte lirinë. Ai u vu në pranga, por u lirua shumë shpejta duke iu vendosur 1 vit ‘shërbim prove’ pas përballjes me Malokun për dhunën e ushtruar dhe djegies me cigare në vende të ndryshme të trupit.
Sërish një precedent që nukdo të kishte ndodhur nëse pas Rexhepit nukdo të ishte një baba deputet.
Redjan e Ramazan Rraja janë gjithashtu nipërit e ish-deputetit që mbajnë mbi shpinë një sërë precedentësh penalë. Liria e Redjanit mori fund pasatentatit ndaj prokurorit Arjan Ndoja, ndërsa ajo e Ramazanit vetëm një vit më parë.
Rënia e fisit Rraja erdhi pas publikimit të videos ku demonstrohej qartë dhuna ndaj fisit Maja passherrit për gurorën e Rrajave. Të gjithë u shpallën në kërkim, por ky rast i vuri kapakun gjithçkajë dhe Rrahman Rraja hoqi dorë nga mandati i deputetit.
Përgjimet e publikuara në SKY ECC, ku u zbërthyen biseda me të zhdukurin e shumëkërkuar Ervis Martinaj çuan pas hekurave edhe Xhelal Rrajën që rezulton se ishte pjesë e grupit të Durim Bamit dhe thurnin plane për vrasjen e Ervis Martinajt dhe ish-deputetit Arben Ndoka.
Një tjetër emër që mund të përmendim është edhe Bojken Hasa, djali i ish-prokurorit Përparim Hasa që është shpallur në kërkim për organizim të lojërave të fatit. Një djalë që vjen nga një familje që supozohet të luftojë të kundraligjshmen, bie vetë brenda me të dyja këmbët!
Por, askush nuk është marrë më me të e nuke ka vënë ‘ujin në zjarr’ për ta bërë të japë llogari para drejtësisë.
Rasti i të lartpërmendurve na tregon se djemtë e biznesmenëve, politikanëve apo të fortëve në Shqipëri kanë ‘amnisti’ të herëpashershme në shkeljen e ligjit. Arrestimi i tyre vjen vetëm në momentin kur as policia, as prokuroria dhe asnjëlloj institucioni nuk i merr dot më përsipër që tu lehtësojë ‘barrën penale’!/ZËRI/
Burimi