
Berisha prezanton programin dhe aleatët: Do ndërtojmë Shqipërinë Madhështore
Sali Berisha
TIRANË- Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka prezantuar sot “Aleanca për Shqipërinë Madhështore”, aleatët e tij që do ta mbështesin në zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Në një takim me eksponentë të lartë të Partisë Demokratike, Sali Berisha prezantoi edhe një pjesë nga programi i tij për atë që e ka quajtur “Ndërtimi i Shqipërisë Madhështore”, një slogan i huazuar nga fushata e Donald Trump, Make America Great Again (MAGA). Si fillim, Berisha foli për koalicionin me 26 parti, duke e quajtur atë një bashkim transparent dhe të vendosur, që përfaqëson të gjitha shtresat e shoqërisë shqiptare. Sipas tij, ky koalicion ka ngjallur shpresa të mëdha te qytetarët shqiptarë dhe jo vetëm. Në këto zgjedhje, kryedemokrati shprehet se do të jetë “diaspora shqiptare”, ajo që do të rrëzojë kryeministrin Edi Rama.
Më pas, prezantoi planet për ta kthyer vendin të parin në rajon për prodhimin e energjisë elektrike dhe jo vetëm.
“Ne jemi vendi me ditët më të shumta me diell në rajon dhe vendi që nga energjia diellore kemi gjithsej një prodhim prej 50-60 megavatë. Merr fund kjo. Panelet diellore, me investim të qeverisë dhe bankave, do mbulojnë çatitë e çdo shtëpie që i zoti i shtëpisë dëshiron të instalojë nga veriu në jug. Do paguajë tre vite energjinë me çmimin që ka paguar dhe pas tre vitesh do e ketë falas përgjithmonë. Po, po! Ne do e bëjmë Shqipërinë superfuqi energjetike në rajon. Kur në vitin 2005 pata deklaruar se Shqipëria do bëhet superfuqi e vogël rajonale e energjisë së rinovueshme. U tallën. Por tani që Shqipëria është bërë vend eksportues i energjisë së rinovueshmne, nuk tallen më. Ua them unë këtu, tani nuk them e vogël, do bëhet superfuqi rajonale energjetike në rajon. Ua them unë ju këtu, kanë rënë çmimet. Panelet fotovoltaike, çmimet e tyre kanë rënë në mënyrë të ndjeshme shumë. Por po kështu edhe turbinat e erës. Ju duhet ta dini se Shqipëria ka platformat më të fuqishme të erës. Vetëm rrethi i Pukës, nga Shëmria deri në Vaun e Dejës ka një kapacitet minimal prej 3200 megavatë. Të studiuar, të gatshëm projektin. Nuk e ka më të vogël Tepelena. Kurrizi i Karaburunit është platformë e erës ndër më të fuqishmet në Europë. Pra, ne do investojmë, do ta shndërrojmë Shqipërinë në një superfuqi rajonale energjetike,”-tha Berisha ndër të tjera në fjalën e tij.
PJESË NGA FJALA E BERISHËS:
Berisha prezanton programin: Ndërtimin e Shqipërisë Madhështore e nisim tek dhimbjet e shqiptarëve
Edhe njëherë, ne kemi paraqitur para shqiptarëve programin më të bukur, programin më të mirë, programin e një Shqipërie vërtet madhështore. Shqiptarët duhet ta dinë ku e nisim ne këtë. Ku e nisim ne ndërtimin e Shqipërisë Madhështore? Ndërtimin e Shqipërisë Madhështore e nisim tek dhimbjet e tyre, tek vuajtja e tyre, që vjen nga mospasja, që vjen nga varfëria ekstreme, me zotimin solemn që tre muajt e parë nuk do ketë shqiptar që nuk do marrë 200 euro minimum jetik. Se rrogë minimale nuk do ketë nën 500 euro. Se rrogë mesatare nuk do ketë nën 1200 euro. Nuk ka detyrim më madhor për njeriun që ka shpirt dhe zemër se sa taksat që merr prej qytetarëve, t’ua kthejë atyre direkt në mirësi, në mirëqenie, t’i çlirojë ata nga vuajtja e blerjes së ushqimeve, ilaçeve, etj. Vetëm kaq? Jo, edhe më shumë. Kjo shtresë në nevojë, këto që i japim nuk i ka të mjaftueshme dhe ne e kemi vetëdijen për këtë. Ka dalë jashtë zonës së varfërisë ekstreme, por nuk i ka të mjaftueshme. Atëherë karta e konsumatorit. Secili prej tyre do marrë mbrapsht TVSH-në që paguan për ushqimet, e llogaritur nga ekspertët 450 euro me kartën e konsumatorit. Ilaçet do të jenë krejt të tjera. Nuk do mund të shiten ilaçe, të cilat kanë çerek apo gjysmë efekti siç ndodh tani. Qeveria do kompensojë çdo rritje, por ilaçet do jenë cilësore ama, nuk do jenë një mashtrim i përditshëm për të sëmurët. Se prape jemi tek dhimbja, aty e nisim ne. Po si mundet një shoqëri, një komb me një buxhet 7-8 miliardë, të lërë një grup njerëzish pa ilaçe se ilaçet e tyre kushtojnë?Atë e bën një qeveri e pashpirt, por një komb i qytetëruar nuk e bën kurrë. Pse nuk ekzistonte kjo situatë përpara? Edhe atëherë kushtonin. Ka ilaçe që kushtojnë shumë, por nuk mungonin në mënyrë absolute. Se këta i përzunë kompanitë nga Tirana, i pushtuan vetë. Për t’ua thjeshtuar, në qoftë se ne rrugët e mëdha të Shqipërisë i ndërtuam me kompanitë më të mëdha të botës, këta ndërtojnë me Salillarin e me radhë dhe shemben, kushtojnë, ribëhen, etj. Kështu është edhe puna e ilaçeve. Ilaçet i dominon Vilma Nushi dhe shqiptarët marrin ilaçe jashtë çdo kontrolli. Merr fund! Nafta, jo mo nuk mund ta paguajë shqiptari… shqiptari do lëvizë se tani vihen para problemit të kenë a mos të kenë makina, të kenë sa më shumë makina… dhe nafta do të jetë as një qindarkë më shtrenjtë se në Kosovë që e merr nga Durrësi dhe e shet 40 përqind më lirë. Energjia elektrike do ulet. Do jetë 7 lekë. Mund të jetë edhe më lirë, por unë po them 7 lekë. Për biznesin do jetë 6 lekë, do jetë tre herë më lirë. Pronarët, të përndjekurit, brenda mandatit të parë do marrin çdo dëmshpërblim, çdo rikthim, çdo kompensim që u takon. Pra, ne shkojmë vërtet koalicioni më i gjerë në histori, ama shkojmë me programin më të mirë që ka njohur Shqipëria ndonjëherë në ekzistencën e saj.
Berisha: Shqipëria do bëhet superfuqi energjetike rajonale! Prodhimet ‘Made in Albania’ do mbushin dyqanet tona
Këto janë bazat. Pa zgjidhur këto, ne nuk mund të bëjmë hapin tjetër, hapin e madh ‘Made in Albania’. Tani nuk jemi më njerëz të izoluar, por në tërësi kemi pasur mundësi të shëtisim. Kudo që shkoj dhe kudo që kam shkuar, unë një vend të begatë me pasuri natyrore si Shqipëria nuk kam parë. Jo, nuk kam parë. Ka një problem që e kam me kimet. Tokën. Tokën fushë e kam me kimet. Por Shqipëria tokat e tjera në kodra e male i ka po kaq pjellore. Shqipëria është tokë e bekuar, nuk ka tokë më pjellore. Prandaj do bëjmë gjithçka që prodhimet bujqësore dhe prodhimet e saj ‘Made in Albania’ të mbushin dyqanet e Shqipërisë dhe të eksportojmë në botë. Shqipëria ka rezerva botërore kromi, nikeli, hekurnikeli, bakri etj. Ku janë?Flenë, vidhen nga mafia, keqpërdoren nga mafia. Një sipërmarrës i suksesshëm më dërgoi një emision që BBC kishte përgatitur për minierën e kromit që shfrytëzon. Kromi më i pasur në planet, e cilësonte atë krom. Çfarë më thoshte? Trau i Kalimashit më kushton në muaj 750 euro për kamion. E kuptoni se çfarë bëhet këtu apo jo? Plus tjetra e tjera dhe faktikisht falimentim. Jo mor zotëri, ne do bëjmë gjithçka që pasuritë natyrore të këtij vendi të shndërrohen në mirësi për qytetarët shqiptarë. Të nxirren, të zbulohen, të përpunohen në vend dhe ‘Made in Albania’ do jetë krenaria jonë kombëtare. Nuk po ndalem të tjera. Shqipëria ka fushën e naftës më të madhe në botë onshore, ka rezerva të pakrahasueshme. Por miq, nëse ka një pasuri të pakufizuar Shqipëria, e ka në fushën e energjisë. Ne jemi vendi me ditët më të shumta me diell në rajon dhe vendi që nga energjia diellore kemi gjithsej një prodhim prej 50-60 megavatë. Merr fund kjo. Panelet diellore, me investim të qeverisë dhe bankave, do mbulojnë çatitë e çdo shtëpie që i zoti i shtëpisë dëshiron të instalojë nga veriu në jug. Do paguajë tre vite energjinë me çmimin që ka paguar dhe pas tre vitesh do e ketë falas përgjithmonë. Po, po! Ne do e bëjmë Shqipërinë superfuqi energjetike në rajon. Kur në vitin 2005 pata deklaruar se Shqipëria do bëhet superfuqi e vogël rajonale e energjisë së rinovueshme. U tallën. Por tani që Shqipëria është bërë vend eksportues i energjisë së rinovueshmne, nuk tallen më. Ua them unë këtu, tani nuk them e vogël, do bëhet superfuqi rajonale energjetike në rajon. Ua them unë ju këtu, kanë rënë çmimet. Panelet fotovoltaike, çmimet e tyre kanë rënë në mënyrë të ndjeshme shumë. Por po kështu edhe turbinat e erës. Ju duhet ta dini se Shqipëria ka platformat më të fuqishme të erës. Vetëm rrethi i Pukës, nga Shëmria deri në Vaun e Dejës ka një kapacitet minimal prej 3200 megavatë. Të studiuar, të gatshëm projektin. Nuk e ka më të vogël Tepelena. Kurrizi i Karaburunit është platformë e erës ndër më të fuqishmet në Europë. Pra, ne do investojmë, do ta shndërrojmë Shqipërinë në një superfuqi rajonale energjetike. Po TAP-i? Ju duhet ta dini se kur fitoi TAP-i, në një garë tmerrësisht të vështirë, një nga shkaqet ka qenë Dumreja me depot e saj natyrale të boshatisura, në të cilat krijohen rezerva gazi për BE-në, disa miliardëshe. Po, po! Shqipëria, nga TAP-i në kontratë ka 700 milionë metër kub në vit për energji. Do i shfrytëzojmë ne ato. Do ndërtojmë TEC-e të fuqishme. Do gazifikojmë Shqipërinë. Shqipëria Madhështore kërkon që familjet të kenë një jetë komode. Gazi është komoditet. Gazi është komoditeti i familjeve të vendeve të pasura. Ne e kemi, nuk marrim asnjë metër kub gaz. Absolutisht nga projektet më madhështore tonat do jetë gazifikimi i qyteteve dhe i gjithë Shqipërisë./ZËRI
Burimi