
BE mblidhet për Ukrainën, shpaloset plani “Riarmatimi i Evropës”/ Rusia akuzon Macron për ‘shantazh bërthamor’
Pamje nga takimi
BRUKSEL- Sot në Bruksel po mbahet një samit i posaçëm me vendet e Bashkimit Europian, me temë kryesore mbështetjen e Ukrainës dhe planet për sigurinë evropiane. Që nga kthimi i Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, liderët evropianë kanë folur shumë për sovranitetin dhe mbrojtjen e Europës. Shumë prej tyre i thanë “Politico-s” se e pranojnë se ka ardhur koha për aksion, por disa tashmë kanë frikë se situata mund të përkeqësohet.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, thotë se ndër çështjet kryesore për diskutim nga liderët e vendeve anëtare të BE-së është një plan i quajtur “Riarmatosja e Evropës”, i cili kap koston e 800 miliardë eurosh. BE-ja e prezantoi për herë të parë këtë plan të hënën duke i shtuar edhe një paketë mbrojtëse me përmasa të paprecedentë. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, njoftoi se BE-ja mund të ndajë deri në 800 miliardë euro për shpenzimet e mbrojtjes.
Çfarë përfshin plani “Riarmatimi i Europës”?
Plani përfshin: – lejimi i vendeve anëtare të BE-së për të rritur nivelet e deficitit buxhetor kombëtar në mënyrë që t’i jepet më shumë hapësirë për të investuar në mbrojtje; – 150 miliardë euro kredi për investime nga të cilat do të përfitonte BE-ja në tërësi; – lejimi i vendeve anëtare të BE-së të ridrejtojnë fondet e destinuara për programet e koordinimit të politikave brenda Bashkimit Europian, për shembull për të reduktuar pabarazitë ndërmjet rajoneve gjithnjë e më pak të zhvilluara, në shpenzimet e mbrojtjes.
REAGIMET E LIDERËVE EUROPIANË
Presidenti francez Emmanuel Macron foli për nevojën e një “zgjerimi të jashtëzakonshëm bërthamor”. Ky propozim vjen në një kohë të pasigurisë në rritje për angazhimin e SHBA-së ndaj NATO-s, ku Donald Trump vë në pikëpyetje peshën e kontributit amerikan në sigurinë evropiane dhe kërkon marrëveshje me Rusinë.
Moska reagoi ashpër ndaj deklaratave të presidentit francez Emmanuel Macron, duke e akuzuar atë se fjalimi i tij kishte “nota të shantazhit bërthamor” dhe se Franca përpiqet të portretizojë veten si “mbrojtësja bërthamore e Evropës”.
Arsenali bërthamor francez
Franca është fuqia e vetme bërthamore e BE-së, pas tërheqjes së Mbretërisë së Bashkuar dhe ka 290 armë bërthamore, duke u listuar si arsenali i katërt më i madh bërthamor në botë. Anglia shpenzon 5.6 miliardë lekë euro çdo vit për mirëmbajtjen e fuqisë, por nuk krahasohet me SHBA-në apo Rusinë, të cilat secila kanë mbi 5000 armë bërthamore.
Çfarë parashikon propozimi bërthamor francez?
Parandalimi francez ka natyrë mbrojtëse, i krijuar për të dekurajuar sulmet dhe për t’ju ruajtur një kërcënimi të besueshëm. Macron ka refuzuar të vendosë arsenalin bërthamor francez nën kontrollin e NATO-s ose BE-së, duke ruajtur pavarësinë e tij të plotë. Propozimi i Macron mund të funksionojë më shumë si një sinjal për Uashingtonin, duke i bërë presion administratës Trump për të sqaruar synimet e saj në lidhje me angazhimin e SHBA për mbrojtjen kolektive të Evropës.
Presidenti rus Vladimir Putin iu përgjigj deklaratave të presidentit francez Emmanuel Macron, duke i përmendur një figurë historike.
“Ka ende njerëz që duan të kthehen në epokën e Napoleonit, duke harruar se si përfundoi”, tha Putin në një fjalim televiziv, pa përmendur emrin e Macron. Kjo lidhet me fushatën franceze të vitit 1812, kur Napoleoni tentoi të pushtonte Moskën, por në fund u mund, duke u tërhequr në dimër me humbje të mëdha.
Nga ana tjetër, kancelari gjerman në largim Olaf Scholz tha se takimi i sotëm ishte vendimtar për të siguruar mbështetjen e vazhdueshme për Ukrainën, por ai gjithashtu theksoi rëndësinë e mbajtjes së marrëdhënieve të mira me SHBA-në.
“Është shumë e rëndësishme të sigurohemi që Ukraina nuk duhet të pranojë një paqe të imponuar. Ne duam një paqe të drejtë që garanton sovranitetin dhe pavarësinë e Ukrainës.”
Kryeministri polak Donald Tusk tha se kur bëhet fjalë për vendosmëria evropiane mund të përballet me sfidat e Rusisë. Ai e krahasoi situatën aktuale me Luftën e Ftohtë dhe shprehu besimin e tij se Rusia do ta humbasë këtë garë armatimi, ashtu siç humbi Bashkimi Sovjetik 40 vjet më parë.
“Evropa në tërësi është e aftë të fitojë çdo konflikt ushtarak, financiar dhe ekonomik me Rusinë, ne jemi thjesht më të fortë,”- tha Tusk.
Pas takimeve, presidenti ukrainas u shpreh i lumtur për mbështetjen e marrë.
“Populli ukrainas nuk është i vetëm. Jemi shumë mirënjohës që nuk jemi vetëm. Dhe këto nuk janë vetëm fjalë. Ne e ndjejmë. Është shumë e rëndësishme që ju po i dërgoni një mesazh të fortë popullit ukrainas, për luftëtarët ukrainas, për civilët, për të gjitha familjet tona. Dhe është mirë që nuk jemi vetëm,”-tha presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy.
Për samitin ka folur edhe Maria Zakharova, zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme ruse. BBC raporton se Zakharova paralajmëroi se dërgimi i një kontigjenti paqeruajtësish evropianë në Ukrainë do të shkaktonte vetëm një përshkallëzim të mëtejshëm të luftës./ZËRI
Burimi