Alfred Peza “shkarkon” edhe veten nga detyra! 1 vit dhe të gjithë ishin kundër tij…ç’la pas në RTSH

Alfred Peza “shkarkon” edhe veten nga detyra! 1 vit dhe të gjithë ishin kundër tij…ç’la pas në RTSH

Alfred Peza

TIRANË- Tani nuk ka më diskutime dhe dyshime, Alfred Peza largohet nga drejtimi i RadioTelevizionit Shqiptar! Sot në mëngjes i ka dorëzuar letrën e dorëheqjes Këshillit Drejtues i Radiotelevizionit Shqiptar, vetëm 15 muaj pasi mori detyrën. Ndryshe nga sa ka ndodhur me paraardhësit e tij, që në nisjen e përfoljes së emrit të tij si drejtuesi i ri i RTSH-së, pati diskutime. Kjo pasi Ligji për Median Audiovizive i pengon ata që kanë deputetë apo kandidatë për deputetë në dy legjislaturat e fundit që të kandidojnë për kreun e televizionit publik, por mesa duket për rastin e Pezës u bë përjashtim.
“Nuk ka qenë deputet në dy legjislaturat e fundit. Ka sjellë edhe dokument që vërteton që nuk është anëtar i Partisë Socialiste,”- tha Leka Bungo, kryetar i Këshillit Drejtues të Radiotelevizionit Shqiptar, i njëjti person që pas pak muajsh do të përplasej me të në Komisionin e Medias në Kryesinë e Kuvendit.
Shkak ishin shkarkimet masive për të cilat mesa duket ka disa çështje gjyqësore që po ndiqen në Gjykatën Administrative.
SPASTRIMET MASIVE
Përgjatë pak më shumë se 1 viti, dhjetra punonjës të RTSH-së (gazetarë, operatorë dhe drejtues) u pushuan nga puna. Shkarkimet në televizionin publik të Shqipërisë sollën reagimin e sindikatave të mediave në Shqipëri, por edhe në Europë. Lidhur me valën e “spastrimit” foli për BIRN edhe sekretari i Përgjithshëm i Federatës Evropiane të Gazetarëve, EFJ, Ricardo Gutierrez.
“Televizioni publik duhet t’i përkasë të gjithë qytetarëve shqiptarë. Por ajo që ne po shohim qartë këtu është kapja e televizionit publik për ta vënë atë në shërbim të interesave vetëm të partisë në pushtet,”-tha ai. 
Por ndërkohë që të larguarit nga puna kërkonin të drejtën e tyre, edhe Peza nga ana tjetër ishte i shqetësuar, madje kishte bërë edhe një kallëzim për “prishje imazhi”. Në gusht të këtij viti, ish-punonjësit e RTSH u thirrën për t’u marrë në pyetje në Policinë e Tiranës, ku edhe iu kontrolluan telefonat celularë, pasi Peza pretendonte se ishin pikërisht këta persona ata që i prishnin imazhin në publik. Mesa duket ankesën e ka bërë vetëm për ish-punonjësit, pasi në raportimin vjetor në Kuvend, deputetëve të opozitës (të cilët po ashtu e kanë sulmuar) u tha me tone ironie se të gjitha akuzat ndaj tij i shihte si një “reklamë për televizionin dhe punën që po bëjmë në RTSH”.
Pikërisht në këtë mbledhje ndodhi edhe përplasja me kreun e Këshillit Drejtues të RTSH-së, Leka Bungo, një veteran tashmë i RTSH-së.

Regjisori, aktori dhe skenaristi i njohur shqiptar tha se problem të madh në RTSH shihte mungesën e transparencës dhe shokun psikologjik që u ishte shkaktuar punonjësve për shkak të largimeve masive nga puna. 
“Në RTSH është krijuar një erie gri nga ana psikologjike tëk punonjësit pas pushimeve, lëvizjeve dhe largimeve të shumta, largimet e shumta, emërimet e shumta janë ndryshe nga çdo herë tjetër, kjo ka krijuar një shok psikologjik. Unë e vë re tek punonjësit. Në zyrë kam shumë ankesa dhe e ndjej dhe nga marrëdhëniet me krijuesit. Bashkë me komisonet e krijuara shpesh për të paralajmëruar për pushime nga puna, vërenjte që janë thujase të përjavshme, këto krijojnë një erie gri nga ana psikologjike tek punonjësit, krijuesit. Po ju sjell një shembull, është pushur nga puna Drejtori i Përgjithshëm Teknik, që nuk është në varësi të Drejtorit të Përgjithshëm. Ai ishte emëruar nga Këshilli Drejtues, si mund ta pushojë Drejtori i Përgjithshëm?,”-thoshte Bungo në Komision. 
Kur erdhi diskutimi tek kreativiteti dhe ndrydhja që po i bëhej punonjësve, Peza tha se i kuptonte shqetësimet e tyre, pasi edhe vetë ishte shkrimtar. 
“I kuptoj shumë mirë, sepse unë vetë jam një artist, shkrimtar,”- tha Peza, por nuk kërkoi as falje dhe as shenja reflektimi për largimet nga puna. 
TË GJITHË KUNDËR
Nëse ka pasur një drejtor në krye të RTSH-së që i kishte të gjithë kundër, ai duket se është Alfred Peza. E nuk po flasim vetëm për opozitën. Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa ka qenë një prej kritikeve të tij më të mëdha, e cila nxorri edhe lajmin e parë për shkarkimin e tij nga detyra. Mirëpo vetë Peza e përgënjeshtroi lajmin e dorëheqjes në një prononcim të shkurtër për Koha Jonë.
“Nuk kam dhënë dorëheqje, këtu me keni deri me 15 qershor 2028!”

Për të njëjtat arsye si të gjithë të tjerët, kundër Pezës doli edhe ish-kolegu i tij, deputeti Erion Braçe. Duke shpërndarë një lajm të lidhur me fushatën e shkarkimeve nga RTSH-ja, në të cilën dënoncohej largimi i padrejtë nga puna i punonjësve, Braçe u kërkoi kolegëve aktuale që ta merrnin Pezën në pyetje në Komisionin e Medias, duke iu shtuar kështu personave kundër tij.

Në fakt që prej marrjes së detyrës në krye të RTSH-së, Alfred Peza nuk ka qenë njeriu më i pëlqyer as për rrjetin, por ca më shumë për punonjësit e Radio Televizionit Publik. Përveç politikës, edhe personazhe publike kanë folur publikisht për padrejtësitë që ata pretendojnë se u ka bërë Peza, siç ishte rasti i gazetarit Bledi Strakosha, regjisores Arnita Beqiraj, dhe së fundi virale u bë dhe denoncimi i Alketa Vejsiut. Kjo e fundit lajmëroi se do të denonconte dhe akuzonte Pezën për sjellje çnjerëzore dhe anti-ligjore në drejtim të partneres së babait të saj, e cila punonte në RTSH për 30 vite.

Të gjitha këto e kthyen Alfred Pezën, ish-deputetin pasanik të socialistëve, një prej njerëzve më të urryer dhe në rrjetet sociale, ku memet dhe ironia nuk mungoi në çdo lajm apo dalje të tij publike. 
Peza e nisi karrierën si gazetar dhe drejtues mediash në fillim të viteve ’90, për t’u angazhuar politikisht në vitin 2013 me Partinë Socialiste, kur u zgjodh deputet i saj në zonën e Peqinit. Gjatë legjislaturës 2013-2017 ai mbajti poste politike në parti si zëdhënës dhe më pas sekretar dixhital i votuar nga Asambleja e partisë. Në vitin 2017, Peza nuk u rikandidua në listën e PS-së, por vazhdoi të ushtronte poste politike. Tani, i shkëputur nga PS-së, duket se ka vendosur që të dedikohet tërësisht në media. Pas largimit nga RTSH, Peza duket se ka një vend të sigurtë pune si drejtor informacioni në “Top Channel”./ZËRI
Burimi