Aksion ‘blic’ në Nikël, arrestohet Marklen Haka
NIKËL-Marklen Haka i njohur si anëtar i Bandës së Niklës është arrestuar. Haka është vënë pranga në zonën e Niklës. Haka kishte rreth një muaj që kishte ardhur nga Dubai ku jetonte prej kohësh. Dyshohet se ai ka hyrë në vend ilegalisht nga Kosova. Ai ishte shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Revanshi”. Haka akuzohet për vrasje të mbetur në tentativë ndaj Durim Bamit, pjesëmarrje në grup kriminal dhe armëmbajtje pa leje.
Marklen Haka u ka shpëtuar dy atentateve, një në vitin 2019, ku mbeti e vrarë halla e tij, Shpresa Basha dhe një në vitin 2022, kur mori një plumb në fytyrë. Haka njihej për miqësinë me Valter Bamin, vëllain e Durim Bamit, i cili e transportoi të plagosur në spital në 2019-ën, pas atnetatit në të cilin humbi hallën. Por, kjo miqësi duket se nuk ka zgjatur shumë pasi në dosjen e publikuar nga ZËRI rezulton se Haka, Albert Zaja dhe Hektor (Tori) Xheçuka kishin marrë përsipër eliminimin e Durim Bamit me urdhër të Ervis Martinajt dhe ish-deputetit të Partisë Socialiste, Arben Ndoka.
Në vitin 2020, treshja i bënë atentat Bamit, i cili ndodhej brenda një automjeti tip “Range Rover” bashkë me kushëririn e tij, Ervin Kodra që mbeti i plagosur. Në përgjimet e zbardhura nga SPAK, vihet re dhe aleanca e Marklen Hakës me Ervis Martinajn që ishte i lidhur ngushtë me Arben Ndokën, por kishin dyshime të forta që Haka qëndronte pas vrasjes së vëllait të ish-deputetit, Aleksandër Ndoka. Haka i betohet Martinajt se nuk ka lidhje me vrasjen e Aleksandër Ndokës, ndërsa ish-bosi i lojërave të fatit që sot rezulton i zhdukur pa gjurmë, i kërkon që të bashkëpunojë dhe t’i tregojë emrat e personave që kanë marrë pjesë në vrasjen e Santiago Malkos. Në këmbim, Martinaj do t’i tregonte personat që i vranë hallën.
Ai u arrestua më 29 qershor të vitit 2011, i dyshuar nga Prokuroria e Tiranës si autori i vrasjes së biznesmenit Nadien Zenelit mbrëmjen e 13 qershorit të po atij viti, në një nga baret tek ish-Blloku në kryeqytet. I shoqëruar pas ngjarjes, i arrestuari Mariglen Haka ka mohuar vrasjen dhe ka pohuar se nuk ka qenë në Tiranë ditën e ngjarjes. Megjithatë, Haka u la i lirë pas disa muajsh, pasi nuk u arrit t’i faktohej vepra penale, për të cilën ishte arrestuar dhe Prokuroria nuk kishte prova të mjaftueshme për ta shpallur të fajshëm./ZËRI
Burimi