Açka sulmon Ina Zhupën: E kam parë t’ia lëpijë këpucët Bashës, tani flirton me Nokën dhe Gazin

Açka sulmon Ina Zhupën: E kam parë t’ia lëpijë këpucët Bashës, tani flirton me Nokën dhe Gazin

Ina Zhupa dhe Flutura Açka

TIRANË-Pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të PD, ku disa deputetë kërkuan shkarkimin e Kryetares së Komisionit të Arsimit dhe Medias, Flutura Açka, kjo e fundit ka bërë një reagim të fortë në llogarinë e saj, duke shënjestruar kolegen Ina Zhupa. Në postimin e saj në Facebook, Açka tregon disa momente te Zhupës krah Lulzim Bashës dhe tashmë pranë Sali Berishës, kur i pari e ka humbur vulën dhe ndikimin mbi demokratët.
Ajo thotë se nuk e ka njohur më parë Ina Zhupën dhe “do ta ç’njoh ditën që do të largohem nga politika.” Përveç habisë që bën nga përulja e kur e thërriste, Bashën kryeministër, Açka shkruan se deputetja ka flirtuar politikisht me Flamur Nokës, me Gaz B., edhe me ca të tjerë që kanë nga një çikë pushtet, vetëm për pak vëmendje politike.
Reagimin e plotë të deputetes demokrate Flutura Açka:
Foto sa një mijë fjalë, prill 2021
Kolegia ime, paçavra më romantike e trojeve tona politike. Nuk e njihja më parë dhe do ta ç’njoh ditën që do të largohem nga politika. E kam parë t’ia lëpijë këpucët Lulzim Bashës dhe jam habitur me paturpësinë përunjëse kur e thërriste Kryeministër. Dhe Kryeministri në tentativë e bekonte me buzëqeshje, dhe ajo hovte edhe më fort. E kam parë të mos iu fliste me gojë dhe t’iu kthente shpinën kolegëve që vendosēn të shkonin pas Sali Berishës gjatë turit të Foltores në vjeshtë 2021. Kështu i ndëshkonte tradhëtarët me shpërfillje.
E kam parë t’i mbante xhaketën Sali Berishës sapo Zhukri bëri zhukrërinë e tij epike. Kremastar u bë e bardha shpirtlyme në emër të demokratëve, madje që të dukej luftarake, refuzoi të vishte fustane që të mos ngjante ladylike, por siç e kërkojnë betejat epike opozitare. E kam parë të ishte nē krah të Sali Berishës me flakadan në dorë në Parlament, duke iu përkulur me të njëjtin përkushtim vjellëndjellës si dikur Lulzim Bashës. Me telefon në dorë gati ia nxirrte sytē liderit vetëm që t’i binte në sy duke e përcjellë në FBook live tek lideri fliste.
E kam parë të flirtojë politikisht me Flamur Nokës, me Gaz B., edhe me ca të tjerë që kanë nga një çikë pushtet, vetëm për pak vëmendie politike. Me një llaf, ajo vdes – sikurse një personazhi im te “Kukullat nuk kanë Atdhe” – t’ia bëjë pushteti “screening” politik. Dhe ngaqë e njoha, e di fort mirë përse politika shqiptare është sikurse është. Edhe Opozita po tē doni. Mjerim! Foto: Lulzim Basha më zonjat kandidate për deputete në zgjedhjet parlamentare 2021.
 

Në mbledhjen e zhvilluar dje një grup deputetësh të Partisë Demokratike, kërkuan shkarkimin e Flutura Açkës nga posti i kryetares së Komisionit të Medias. Ata e argumentuan këtë kërkesë të tyre duke thënë se deputetja ka penguar çdo nismë opozitare në Komision duke mos vepruar në përputhje me vendimet e grupit parlamentar. Megjithatë, Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi doli kundër propozimit të deputetëve, duke thënë se me këtë propozim do të japin mesazhin e gabuar dhe ajo çfarë kanë nevojë demokratët në këtë periudhë është bashkimi, jo përçarje./ZËRI
Burimi