Abuzoi me SASPAC, delegacioni i BE për arrestimin e Ilir Beqajt: Nuk e komentojmë! Mbroni fondet, ose i ndërhyjmë vetë!

Abuzoi me SASPAC, delegacioni i BE për arrestimin e Ilir Beqajt: Nuk e komentojmë! Mbroni fondet, ose i ndërhyjmë vetë!

TIRANË- Delegacioni i Bashkimit Europian ka reaguar pas arrestimit të ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj për abuzim me fondet e Bashkimit Europian. Në një prononcim për “ReportTV”, të kontaktuar për një koment lidhur me aksionin e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, delegacioni i Bashkimit Europian theksoi se nuk do të komentojnë vedimet e drejtësisë. Por kërkojnë që institucionet shqiptare të ngrenë dhe të kenë mekanizma më efektivë në kontrollin e parave dhe fondeve që vijnë nga BE. 
Lidhur me këtë pikë shtojnë se nëse mbrojtja e fondeve të BE nuk bëhet nga pala shqiptare, unioni a mjete dhe procedura në dispozicion për të mbrojtur interesat e veta financiare.
“BE-ja nuk komenton mbi procedurat gjyqësore në vazhdimësi. Institucionet shqiptare janë të detyruara të kenë mekanizma efektivë të kontrollit financiar për të mbrojtur interesat financiare të BE-së. Rol të rëndësishëm në këtë drejtim luajnë edhe institucionet e pavarura të drejtësisë. BE-ja ka mjete dhe procedura në dispozicion për të mbrojtur interesat e veta financiare, nëse është e nevojshme”, thuhet në reagimin e BE.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka ngritur dyshime se ish-ministriBeqaj si drejtues i SASPAC, ka abuzuar me të paktën 8 procedura prokurimi nga agjencia për menaxhimin e fondeve të BE, duke fryrë shifrat në qindra mijëra euro drejt kompanive të ndryshme për shërbime të pakryera. Përfitues i parave ka qenë vetë ish-ministri dhe bashkëpunëtorët e tij, por SPAK nuk e ka një shifër ekzakte.
Arrestimi i Beqajt u bë të premtën, ndërsa të shtunën para GJKKO, por u la në arrest me burg, pavarësisht se ofroi 50 mijë euro garanci për të marrë lirinë. Edhe bashkëpunëtori i tij më i ngushtë, Ermal Kurtuljat, u la në qeli ndërsa për lirinë me kusht e cila iu refuzua, ofroi paratë e shitjes së një Audi Q7. Në masën “arrest shtëpie” janë lënë: Gazmend Haxhia, Elton Marini, Alfred Nikollaj, Gazmend Haxhia; ndërsa “detyrim paraqitje”, Bledar Leka dhe Bjona Zijaj./ZËRI
Burimi