A do hapet eksporti për vezën e kategorisë A?! Gati programi për kontrollin e salmonelozës

A do hapet eksporti për vezën e kategorisë A?! Gati programi për kontrollin e salmonelozës

eksporti i vezeve

TIRANË- Shqipëria prej shumë vitesh vijon të eksportojë në Bashkimin Europian, vezë të kategorisë B. Ndonëse në pularitë vendase prodhohet vezë cilësore e kategorisë A, gjatë eksportit ato klasifikohen si vezë të kategorisë B, vetëm për përdorim në industrinë ushqimore.
Ekspertët e sigurisë ushqimore kanë ngritur disa herë shqetësimin që të eksportohet vezë “Klasa A” në BE duhet të plotësohen kërkesat e legjislacionit të BE dhe konkretisht zbatimi i rregullores 2160/2003 të BE “Për kontrollin e salmonelozës dhe shkaktarëve të tjerë të sëmundjeve zoonotike nga ushqimet. Ky plan sipas tyre duhet të miratohet nga BE.
Për hapjen e eksportit të vezëve të kategorisë A, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural tha për Monitor se ka përgatitur një program të ri të kontrollit të salmonelozës që do t’i dërgohet për vlerësim BE-së.
“Në lidhje me hapjen e eksportit të vezës së klasit A, Shqipëria që prej vitit 2011 në mënyrë të vazhdueshme kërkon hapjen e eksportit të vezës së klasi A. Në vazhdimësi edhe këtë vit MBZHR-ja i ka drejtuar Komisionit Europian kërkesën për hapjen e eksportit të Vezës së klasit A. Është përgatitur një Program Kombëtar i kontrollit për salmonelozën në pulat për vezë i (Gallus Gallus) 2024, në përputhje me kërkesat e fundit të legjislacionit të BE-së, i cili do të dërgohet në Bruksel për vlerësim”, pohoi Ministria e Bujqësisë.
Vezët klasifikohen sipas cilësisë më poshtë:
a) vezët e Klasës A ose të “freskëta” janë për konsum të drejtpërdrejtë nga njerëzit dhe për t’u përdorur në industritë ushqimore ose joushqimore;
b) vezët e Klasës B dorëzohen vetëm në industrinë ushqimore për përpunim termik (përpunimi termik në industrinë ushqimore nëpërmjet linjave teknologjike të kontrolluara eliminon mikroorganizmat që mund të jenë të dëmshme për njerëzit).
Ky aktivitet është kontrolluar disa herë nga ekspertët e BE-së (Food and Veterinary Office) dhe kanë konstatuar se plotësohen kërkesat e legjislacionit të BE-së për këto produkte. Aktualisht janë 5 kompani në 6 vendndodhje që kanë të drejtën të eksportojnë vezë Klasa B, vezë të lëngët dhe produkte veze në BE.
Për ekspertin e menaxhimit të fermave Edi Fero pritet që edhe programi i ri të mos i japë zgjidhje çështjes së eksportit të vezëve, pasi në 10 vite nuk ka pasur përmirësim në nivelin e sigurisë së prodhimeve shtazore.
Ai thotë se në fermat e rritjes së shpendëve nuk mungojnë investimet bashkëkohore, por mosinteresimi i shtetit për të monitoruar zbatimin e standardeve, që veza të mos shkojë me antibiotik, që të kryhen protokollet e mjekimeve dhe vaksinimeve, nuk mundëson hapjen e eksportit.
“Pas ndjekjes së këtyre procedurave ftohet Komisioni Europian i hapjes së eksporteve në Shqipëri që verifikon kontrollin. Nëse masat janë zbatuar hapet eksporti për çdo fermë”, thotë ai.
Sakaq tregu i pularive çdo vit rrezikohet nga mbiprodhimi, teksa konsumi i vezëve sipas kompanive prodhuese, 2 vitet e fundit ka tendencë rënëse nga emigracioni i popullsisë. Në eksport kompanitë largojnë tepricat e prodhimit, për shkak të çmimit të ulët të shitjes, pasi veza vlerësohet e kategorisë B.
Vetëm vjet për disa muaj rresht veza shqiptare u eksportua me fitim. Rënia drastike e prodhimit nga pandemia e influencës aviare në Europë, rriti ndjeshëm çmimin e shitjes së vezës për eksport. Për 2023 sipas të dhënave të Doganave eksportet e vezës u rritën rreth 4 herë më shumë se 2022. Kjo ishte sasia më e lartë e vezëve të eksportuara që prej vitit 2013./monitor 
Burimi