
17 vite nga tragjedia e Gërdecit/ Zamira Durda: Fatmir Mediu më ka kërcënuar në sallë!

Fatmir Mediu dhe Zamira Durda
TIRANË– 17 vite nga tragjedia e Gërdecit dhe Zamira Durda kërkon ende drejtësi. Që nga viti 2021m kur Prokuroria e Posaçme kërkoi rihapjen e dosjes, Durda është paraqitur në çdo seancë gjyqësore, në të cilat është përballur edhe me ish-ministrin Fatmir Mediu.
“Ngriti zërin i pandehuri, na u ngrit drejtpërdrejtë, mbylleni gojën. I thuhet gjyqtarit po trajtoni viktimat si heronj”, thotë Zamira Durda. E tmerrshme. Na kërcënoi, na u hakërrye i pandehuri në sallë”, thekson Durda.
“Në GJJKO jam pjesë e procesit, i kam të drejtat e mia, por do dëgjosh të pandehurit, kemi dy vjet që zvarritet, jemi akoma tek provat e prokurorit. Vetëm i pandehuri ka të drejtë, ne s’kemi asnjë të drejtë të flasim, edhe po folëm do dalim jashtë. Nga avokatët e të pandehurve thuhen që i trajtojnë viktimat si heronj,”- shton ajo.
Durda ka humbur djalin e saj 6-vjeçar në tragjedinë e Gërdecit.
Seanca e fundit është mbajtur më datë 4 mars, ditë që u mor vendimi për shtyrjen. Shkak u bë kërkesa e prokurorëve Arben Kraja dhe Klodian Braho, të cilët duhej të merrnin pjesë në procese të tjera gjyqësore dhe nuk do të ishin të pranishëm në sallë.
Ish-ministri i Mbrojtjes kundërshtoi gjetjet e ekspertëve ushtarakë në lidhje me masat që duhej të merreshin për demontimin e municioneve në Gërdec. Mediu dhe mbrojtja e tij kishin përgatitur një material prej 147 faqesh, përmes të cilit kundërshtonin gjetjet e ekspertëve.
Ndërsa më 9 tetor, GJKKO refuzoi kërkesën e Mediut për riekspertim pjesor për kostot e dëmit financiar të shkaktuar në Fabrikë. SPAK deklaron nga akti i ekspertimit financiar dalin dëmet e shkaktuara nga veprimet dhe mosveprimet e Mediut, gjë që sipas organit të akuzës provon shpërdorimin e detyrës prej tij. Këto pretendime janë kundërshtuar nga Mediu.
Rihapja e çështjes ndaj Mediut u vu në lëvizje pas 12 vitesh me iniciativën e familjes së një prej viktimave të shpërthimit në mars 2008 në ambientet e ish “Brigadës së Tankeve”, me 26 humbje jete e qindra të plagosur. Sipas kërkuesve dhe SPAK, pas ndryshimeve ligjore të vitit 2012 dhe 2017, deputeti nuk ka më imunitet parlamentar për ndjekjen penale apo gjykimin e tij dhe për rrjedhojë nuk ekziston me asnjë pengesë për hetimin dhe gjykimin e Mediut, i cili akuzohet për “shpërdorim detyre”./ZËRI