14 vjeç…nënë! Traditat përballen me ligjin/ Rasti i Korçës, familja e të miturës kundër arrestimit: Na lironi dhëndrin!

14 vjeç…nënë! Traditat përballen me ligjin/ Rasti i Korçës, familja e të miturës kundër arrestimit: Na lironi dhëndrin!

KORÇË- Një 14-vjeçare është bërë nënë ditën e djeshme në Korçë. Por me të lindur fëmija, i ati i të porsalindurit, 21-vjeçari Dritson Kurti është vendosur në pranga nga Policia për shkak se akuzohet për “marrëdhënie seksuale me të mitur”. Arrestimi i të riut ka sjellë reagimin e ashpër të familjarëve të të arrestuarit që kërkojnë lirimin e tij pasi ngjarja ka sjellë ‘përplasjen’ mes familjarëve të vajzës së mitur dhe institucioneve në Shqipëri. 
14-vjeçarja, e cila sapo është bërë nënë, shprehet se ka një vit e martuar, ndërsa më herët kishte jetuar në Elbasan. Duke qarë ajo ka kërkuar lirimin e bashkëshortit të saj në mënyrë që të rrisin së bashku fëmijën e tyre.
“Jam 14 vjeç. Kam një vit që jam martuar. Më para jetoja në Elbasan. Bashkëshortin e arrestuan dje, se kam lindur e vogël fëmijë. Dua që të ma lirojnë burrin. E dua burrin tim, nuk e rris dot fëmijën pa të,”-tha e mitura ndërsa qan.
Në intervistë, gjyshja e Dritson Kurtit, Fidarie Kurti ka shpjeguar zakonet e komunitetit: Ne kurbetët e kemi traditë martohemi shpejt, 12-13 vjeç, tani paskan nxjerrë ligj. Ne e kemi traditë, po u rrit çupa nuk e marrim ne. E kemi ofendim. Ne kërkojmë ndihme për djalin, e morën sepse çupa është e vogël. Unë me pension, ai punonte. Atje ne komunale, tek plehrat. Mban gruan e fëmijët. E ëma i vdiq. Tani të mendoje qeveria, ç’janë këto ligje? Tani kanë dalë? Ne kemi vite martohemi të vegjël. Tani nxorën ligje qeveria? Te ne kurbetët do futet qeveria? Ne i marrim të vogla nuset e i mësojmë. Nuk i marrim të mëdha, e kemi për ofendim po qe e madhe.
I shqetësuar nga arrestimi i dhëndrrit është edhe babai i të miturës.
“Janë bërë martesa. Ne jemi rom, kështu e kemi. Pse ma morët dhëndrin? Ne u martuam me dashuri me harmoni. E keni marrë kot se koti. Lirojeni një orë e më parë. Kjo është vajza ime. E mori me dashuri me harmoni, pse na ndërhyni ne gabelëve? Nuk e mori me zor, e mori me dëshirë. Mos hyjë shteti në punët tona. Lirojeni sa më parë. Të me dëgjojnë. Dua të me lirohet dhëndri, të gëzojë fëmijën,”-tha ai.
Por rasti i 14-vjeçares në fjalë nuk është i vetmi. Po në Korçë në të njëjtën ditë me të ka lindur edhe një 15-vjeçare. Pra vetëm gjatë 24 orëve të fundit në maternitetin e Korçës kanë lindur dy nëna minorene. Lajmi u bë me dije nga përgjegjësi i martenitetit të Korçës, Mishel Papakozma, ndërsa mësohet se edhe për rastin e dytë kanë nisur verifikimet. 
Martesat e hershme, që në moshë të mitur janë të ndaluara me ligj në Shqipëri kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë fenomen shqetësues në vendin tonë. Në këtë pikë, ligji bie ndesh me traditat e komuniteteve të caktuara në Shqipëri. Ndaj në shumicën e rasteve nuk ka celebrime, por mësohen vetëm në rastet kur në jetë sillen fëmijë, si në dy rastet e Korçës./ZËRI
Burimi