Vrasja e biznesmenit Rakip Roli në Laç, Gjykata e Apelit lë në fuqi vendimin për dy autorët
Referuar raportimeve të mëparshme në media, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, informon sa më poshtë:
Nga aktet e ndodhura në dosje rezulton se, prokuroria e shkallës së parë Lezhë ka regjistruar procedimin penal të vitit 2021, i cili lidhet me ngjarjen e datës 10.12.2021, ku në lagjen nr. 5, Sanxhak, Laç, Njësia Administrative Laç, Bashkia Kurbin, është vrarë me armë zjarri i ndjeri shtetasi me iniciale R. R. Viktima ka qënë duke qarkulluar me automjetin e tij, sipas drejtimit nga Sanxhaku për në Mamurras, ai është qëlluar kur ndodhej i vetëm brenda automjetit. Të dyshuar për kryerjen e kësaj vepre penale janë shtetasit me iniciale Ll. L dhe K. Gj (B).
Në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, është zhvilluar gjykimi i çështjes penale ndaj:
të pandehurit me iniciale Ll. L, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Vrasje me paramendim për hakmarrje” e kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuar nga nenet 78/2 – 25 dhe 278/1 të Kodit Penal.
të pandehurit me iniciale K. Gj (B), i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Vrasje me paramendim për hakmarrje” e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 78/2 – 25 i Kodit Penal.
Lidhur sa më sipër, Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, me vendimin nr. 196, datë 29.04.2024, ka vendosur:
Deklarimin fajtor të pandehurit L për kryerjen e veprës penale të parashikuar nga neni 78/1 – 25 të Kodit Penal dhe në bazë të kësaj dispozite e dënon me 25 (njëzet e pesë) vite burgim.
Deklarimin fajtor të pandehurit L për kryerjen e veprës penale të parashikuar nga neni 278/1 të Kodit Penal dhe në bazë të kësaj dispozite e dënon me 7 (shtatë) vite burgim.
Në bashkim të dënimeve, në aplikim të nenit 55 të Kodit Penal, i pandehuri Ll. L dënohet me një dënim të vetëm prej 27 (njëzet e shtatë) vite burgim.
Deklarimin fajtor të pandehurit Gj (B) për kryerjen e veprës penale të parashikuar nga neni 78/1 – 25 të Kodit Penal dhe në bazë të kësaj dispozite e dënon me 20 (njëzet) vite burgim.
Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të bërë nga i pandehurit me iniciale Ll. L, i cili kërkoi :
-Ndryshimin e vendimit të gjykatës së shkallës së parë në bazë të nenit 428, germa “b” të Kodit të Procedurës Penale, deklarimin fajtor të pandehurit për kryerjen e veprës penale “Vrasje me dashje”, e parashikuar nga neni 76 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me minimumin që parashikon kjo dispozitë për këtë vepër penale.
– Lënien në fuqi të vendimit të gjykatës së shkallës së parë, në bazë të nenit 428, germa “b” të Kodit të Procedurës Penale, për sa i përket veprës penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuar nga neni 278/1 i Kodit Penal dhe ndryshimin e tij për masën e dënimit të caktuar nga gjykata, duke e dënuar atë me minimumin e dënimit të parashikuar nga ligji dhe në zbatim të nenit 55 të Kodit Penal, caktimin e një mase dënimi sa më të lehtë.
– Rregullimin e pasojave të vendimit të gjykatës së shkallës së parë, duke pranuar kërkesën e të pandehurit për gjykim të shkurtuar dhe përfundimisht duke ulur një të tretën e dënimit me burgim për veprat penale për të cilat ky i pandehur do të deklarohet fajtor.
Si dhe mbi bazën e ankimit të bërë nga i pandehuri me iniciale K. Gj (B), i cili kërkoi prishjen e vendimit, duke e deklaruar të pafajshëm për kryerjen e veprës penale “Vrasje me paramendim”, ndryshimin e cilësimit ligjor të veprës penale në ‘Moskallëzim krimi”, të parashikuar nga neni 300 i Kodit penal, dënimin në bazë të kësaj dispozite dhe aplikimin e nenit 406/1 të Kodit Procedurës penale.
Në përfundim të gjykimit, sot më datë 26.11.2024, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Relatore Gjyqtare znj. Valdete Hoxha dhe anëtarë znj. Brikena Ukperaj dhe z. Genti Shala, vendosi:
-Lënien në fuqi të vendimit nr. 196, datë 29.04.2024 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë.
Top Channel
Burimi