“Veriu i Kosovës, rrezik për Ballkanin”, O’Brien mbron Prishtinën: Bëri mirë që bleu dronët

“Veriu i Kosovës, rrezik për Ballkanin”, O’Brien mbron Prishtinën: Bëri mirë që bleu dronët

Veriu i Kosovës dhe kërcënimet për shkëputje të një pjese të Bosnjës dhe Hercegovinës, janë rreziqet kryesore për sigurinë në Ballkanin Perëndimor.

Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, James O’Brien u tregua mjaft i drejpëtdrejtë në komentet e tij për agjencinë serbe të lajmeve Tanjug. Zyrtari i lartë amerikan theksoi megjithatë se forcat paqeruajtëse të KFOR-it në Kosovë dhe misioni i EUFOR-it në Bosnjë janë të gatshme “të pengojnë grupet e vogla lokale që të shkaktojnë dhunë”.
“Jam i inkurajuar gjithashtu që ka pasur bashkëpunim të mirë me autoritetet serbe, me autoritetet e Kosovës, në përpjekje për të trajtuar rreziqet e dhunës dhe të rritjes së përplasjeve në veri të Kosovës. Mendoj se me këtë kemi një shans për procesin politik, që është dialogu (i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian), plani (evropian) i rritjes ekonomike dhe gjërat e tjera për të trajtuar shkaqet e dhunës”, u shpreh ai.

I pyetur se përse SHBA-ja mbështeti një tranzicion të Forcës së Sigurisë së Kosovës sipas standardeve të NATO-s dhe pse Prishtinës iu lejua të blejë dronë, kur “sipas Rezolutës 1244, KFOR ishte e vetmja forcë e armatosur e lejuar në Kosovë”, O’Brien kujtoi se rezoluta vendosi “një proces politik për të diskutuar të ardhmen e Kosovës”.
“Ai proces çoi në pavarësinë e Kosovës. Por Kosova ka të drejtë të mbrojë territorin e saj”, sqaroi ai  duke nënvizuar se ajo “po e bën këtë në një proces transparent dhe në bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë si një mënyrë për të siguruar mbrojtjen e saj, por pa kërcënuar fqinjët e saj.
Diplomati amerikan pohoi sidoqoftë se rruga e duhur mbetet ajo e bisedimeve dhe ritheksoi mbështetjen e Uashingtonit për dialogun Prishtinë-Beograd si dhe për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Top Channel
Burimi