“Të qoftë e lehtë lëndina në panteonin e përjetësisë”, Presidenti Begaj: Shqiptarët humbën emancipuesin e tyre shpirtëror
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, në një reagim për ndarjen nga jeta të shkrimtarit Ismail Kadare, shprehet se “shqiptarët humbën gjeniun e tyre të letrave dhe emancipuesin shpirtëror”.
“Shqipëria dhe shqiptarët humbën sot gjeniun e tyre të letrave, emancipuesin e tyre shpirtëror, Ballkani poetin e miteve të tij, Evropa dhe bota ndër përfaqësuesit më të spikatur të letërsisë moderne. Të qoftë e lehtë lëndina në panteonin e përjetësisë, Kolosi ynë i mendimit dhe i penës”, shkruan Begaj në reagimin e tij.
Ismail Kadare lindi në Gjirokastër, më 28 janar të vitit 1936. Ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popullor (1970-’82), zv/kryetar i Frontit Demokratik dhe një ndër shkrimtarët më të mëdhenj bashkëkohorë.
Si shkrimtar u shqua kryesisht për prozë, por kontributi i tij u shtri edhe në dramaturgji, poezi dhe përkthime. Nisi të shkruajë kur ishte ende i ri, fillimisht poezi, me të cilat u bë i njohur, e më pas edhe prozë, duke u bërë prozatori kryesor shqiptar. Veprat e tij janë përkthyer në rreth 45 gjuhë të ndryshme, duke qenë kështu përfaqësues kryesor i letërsisë shqipe nëpër botë.
Top Channel
Burimi