Takimi trepalësh në Bruksel i kryenegociatorëve, Bislimi: Serbia ishte e interesuar vetëm për Asociacionin

Takimi trepalësh në Bruksel i kryenegociatorëve, Bislimi: Serbia ishte e interesuar vetëm për Asociacionin

Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç u takuan sot në Bruksel në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi tha se Serbia ishte e interesuar për vetëm një pikë të marrëveshjes bazike, atë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Bislimi ka bërë të ditur se deri më 18 korrik do të dërgojnë komente me shkrim mbi marrëveshjen bazike, aty ku zëvendëskryeministri i Kosovës pret që të dëshmohet se Serbia nuk e respekton marrëveshjen. Pas 18 korrikut, Bislimi ka thënë se BE-ja do të bëjë propozim me komentet e palëve.

“Pika e vetme e agjendës në të cilën ne duhej të shënonin përparim ishte diskutimi i finalizimit të planit të sekuencimit. Por Petkoviçi ishte i interesuar vetëm për një pikë që nënkupton aprovimin e draftstatutit evropian. Pale serbe tha se mund të diskutojmë për pika të tjera pasi të ecet përpara me zbatim të Asociacionit. Ndërsa pala kosovare ka pasur propozime për secilën pikë dhe është e rëndësishme që marrëveshja bazike të pranohet në plotëni. Kemi kërkuar që plani i sekuencimit të jetë gjithëpërfshirës pasi s’mund të dizajnojmë 10 plane të sekuencimit. Kërkesa e Lajçakut ka qenë që deri më 18 korrik të dërgojmë komentet tona me shkrim për këtë marrëveshje, propozimet do të bëhen të njohura edhe për palët dhe kjo do të tregojë se Serbia nuk do ta respektojë marrëveshjen”, ka thënë Bislimi pas takimit, sipas mediave vendase.
Një tjetër temë e diskutuar në takimin trepalësh ishte edhe marrëveshja për energjinë. Bislimi ka thënë se ka dyshimet që “Elektroseveri” po e shkel marrëveshjes.
“Marrëveshja për energjinë po ec më ngadalë sesa kemi pritur. Ka dyshime për shkelje nga ‘Elektroseveri’. E përdor termin ‘Kosovska Mitrovica’ që është term jokushtetues, përdor kod postar të strukturave paralele. Kemi brenga për mosinkasim të mjaftueshëm, i cili nxjerr probleme të tjera në pagesën e obligimeve. Një sërë problemesh që kemi ngrit për moszbatim të kësaj marrëveshje”, ka deklaruar ai.
Bislimi ka thënë se në takim me Lajçakun diskutuan edhe për personat e zhdukur me dhunë gjatë luftës, çështje për të cilën tha se u kritikua BE-ja.
“Pala kosovare mendon se Serbia në vazhdimësi po e saboton zbatimit e deklaratës së Kurtit dhe Vuçiqit. Kryetari i Komisionit për Personat e Zhdukur, Andin Hoti, ka treguar se Kosova po ec me detyrimet e saj, kurse Serbia ka zero angazhim. Ka kritikuar ashpër BE-në për mungesë totale të interesimit që të ecet para me marrëveshjen për të pagjeturit”, ka shtuar zëvendëskryeministri.
Kryenegociatori ka thënë se është diskutuar edhe për hapjen e dy vendkalimeve të reja kufitare me Serbinë, ndërsa kanë kërkuar që të hapen edhe dy shtesë gjatë sezones së verës. Për këtë, BE-ja do të përgatit propozim final.
Bislimi s’pret takim të radhës derisa pas pushimeve verore.

Top Channel
Burimi