“S’kemi President e Parlament, duhet Qeveri teknike”, Gjekmarkaj për 11 korrikun: Protesta si e vetmja rrugë, ata që kanë vetëm bark e prapanica pushteti…

“S’kemi President e Parlament, duhet Qeveri teknike”, Gjekmarkaj për 11 korrikun: Protesta si e vetmja rrugë, ata që kanë vetëm bark e prapanica pushteti…

Mënyra e vetme që shoqëria shqiptare të ngrihet në lartësinë e shpresave të veta është protesta.
Kur nisëm rrugën e lirisë para 34 vitesh besonim sa do ta mundnim varfërinë shumë më shpejt dhe po kaq do të instalonim një shtet të së drejtës.

Varfëria ka trokitur kudo në qytet e fshat sepse korrupsioni qeveritar ka grabitur në fshat dhe qytet. Paraja publike nuk shkon në të mira publike por në xhepa pushtetarësh dhe klientëve të tyre në biznes. Krimi mbikëqyr proceset ekonomike e politike.
Të tjera rroga e pensione do kishin shqiptarët nëse vjedhja nuk do të mbretëronte sovrane. Skandalet janë karta e identitetit të kësaj qeverie qysh në vitin 2013. Konçensionet dhe inceneratoret tymi i të cilave del ngadalë mbi pullazin e SPAK janë dy “sukseset” e kësaj qeverie e cila me këto para blen zgjedhjet dhe paguan patronazhistët. Shqipëria ka nevojë për një Qeveri Teknike për të garantuar rrotacionin demokratik.
Institucionet njëra pas tjetrës kanë rënë. Gjithçka është në dorën e një njeriu, në dorën e Edi Rames. Vendi nuk ka President, nuk ka Parlament nuk ka dinamika e logjike institucionale, ka vetëm vullnet despotik.
Drejtësia nuk heton dosjet korruptive të zgjedhjeve ndonëse gjithë shtypi i Europës ka folur për to e narkotrafikun që ndyn shtetin tonë.
Me 11 Korrik çdo kush gjen motiv për të protestuar për dinjitetin e vet, për të ardhmen e femijëve që sot duan vetëm të ikin, të dëbuar nga arrogance e korrupsioni qeveritar, nga banaliteti e idiotësia e tyre mendore.
Kjo qeveri nuk e pranon bashkëjetesën demokratike! Provat e saj për dhunimim e opozitës janë të pafundme. Më e spikatura mbetet ndalimi dhe arrestimi i Kryetarit të PD-së dhe Liderit të Opozitës Sali Berishes pa akuzë pa prova.
Ndalimi i shefit të Opozites është kërcënim për të gjithë. Nuk është më një çështje individuale e një personaliteti sado përfaqësues në simbolikën e vet por e ndërgjegjes së një populli të raportit të tij me drejtësinë dhe demokracinë.
Një vend i Natos dhe kandidat për në BE megjitheëse kësaj qeverie nuk i intereson integrimi si pengesë për të vjedhur nuk mund të synojë nxjerrjen jashtë ligjit të Opozitës. Burgosja politike është defakto nxjerrje jashtë ligji, bllokim i pluralizmit.
Protesta është mjeti i fundit i cili jo thjesht opozitën por shoqërinë e çon drejt aspiratave të veta. Konformizmi është atentat ndaj së tashmes dhe së nesërmes.
Të rrish indiferent, të shmangesh sot i bie që nesër do jesh më i pambrojtur, më i kërcenuar, më i patronazhuar, më i kontrolluar në votë dhe në liritë e përditshme.
Me 11 Korrik në darkë duhet të shfaqet shoqeria me gjithë spektrin e saj, ata që e duan dhe që nuk e duan PD, gjyshër, prind nipa e mbesa. Duhet të jemi bashkë të gjithë ata që bashkohemi në konceptet universale për të mirën, të drejtën dhe të dobishmen.
Kjo është një protestë emancipuese për një Shqipëri më të mirë, kundër korrupsionit, kundër varfërisë, kundër keqqeverisjes, për drejtësi, zgjedhje të lira, integrim e demokraci, për një Shqipëri që i thotë ndal shkretimit. Të gjithë bashkë ja dalim. Le të ikin nga vendi nëse drejtësia si ndal hajdutët dhe batakçinjtë që kanë vetëm bark e prapanica pushteti por duhet të rrinë shqiptarët zot të vetvetes dhe lirive të tyre. Ne e kemi thyer njëhere regjimin totalitar. Historia na ka vënë në prove për së dyti. Përsëri do ta thyejmë. Projekti për Shqiperinë si gjithë Europa riprezantohet mbremjen e 11 Korrikut në Bulevardin Deshmoret e Kombit!

Top Channel
Burimi