Skandali për bastet politike dëmton rëndë Sunak, stafi i kryeministrit e dinte 4 korrikun si ditë zgjedhjesh përpara se të shpallej publikisht

Skandali për bastet politike dëmton rëndë Sunak, stafi i kryeministrit e dinte 4 korrikun si ditë zgjedhjesh përpara se të shpallej publikisht

Kur ka ngelur pak më shumë se një javë nga data e zgjedhjeve të reja të parakohshme në Britani, një skandal i madh dhe i paprecedent ka mbërthyer politikën britanike dhe duket se do jetë më i dëmshëm për Kryeministrin Sunak dhe partinë e tij.

Është zbuluar se zyrtarë mjaft të lartë politikë pranë kryeministrit, madje dhe një nga rojet e tij personale kanë vendosur baste ditë më parë nga njoftimi për ditën e saktë se kur do mbaheshin këto zgjedhje.
Ethet e basteve në ditët para dhe gjatë Evropianit duket se janë shtrirë dhe kanë prekur edhe bastet politike siç po rezultojnë ato për datën e saktë se kur Kryeministri britanik Rishi Sunak, do të shpallte mbajtjen e zgjedhjeve të reja, në 4 korrik.

Nga hetimet e deritanishme del se zyrtarë mjaft të lartë pranë kryeministrit Sunak, njerëz që kanë pasur akses dhe njohuri të orës se parë në rrethin e Kryeministrit, madje edhe një nga rojet e tij personale, apo edhe drejtuesi i Partisë Konservatore për të dhënat e partisë, apo kandidatë për deputetë në këto zgjedhje, si dhe drejtuesi i fushatave elektotrale në këtë parti dhe gruaja e tij, kanë vendosur baste jo vetëm ata por dhe familjarë të tyre të cilët janë vënë nën hetim nga Komisioni i Lojërave të Fatit.
Hetuesit i kanë shkruar kompanive kryesore të basteve, për detajet e personave që kanë vënë baste mbi 20 stërlina ose më shumë për datën e zgjedhjeve pak përpara 22 majit, ditës kur Sunak shpalli 4 korrikun ditën e zgjedhjeve.
Vetë kryeministri Sunak sapo ka deklaruar se ai vet nuk është duke u hetuar nga ky Komision i pavarur, madje ka kërkuar edhe hetim nga vetë Partia Konservatore. Nëse sondazhet që po flasin për një frymë të paprecedentë ndryshimi në zgjedhjet e reja ku Konservatorët do përjetojnë një armagedon elektoral pas 11 ditësh, padyshim konseravatorët do kenë kohë boll të merren në hetime kur të jenë në opozitë, siç po mendohet për më shumë se një dekade.
Ky skandal ku papërgjegjshmëria dhe etja për përfitime edhe për një fakt të tillë si data e zgjedhjeve, duket se padrejtësisht bie mbi shpatullat e një kryeministri si Rishi Sunak, që po mban mbi shpinë mëkatet politike të shumë paraardhësve të tij që varionin nga gënjeshtar patalogjik, si Boris Johnson, e deri të pafatë politike si Liz Truss, kryeministrja që ka qëndruar 49 ditë në pushtet më pak se kushdo tjetër në historinë e kryeministrave të Britanisë.
Ky skandal mendohet se do jetë gozhda e fundit ndër shumë të tilla në “arkivolin” politik të konservatorëve dhe qeverisjes në shumicë të kohës, të papergjegjshme të konservatorëve britanikë në 14 vitet e fundit.

Top Channel
Burimi