Shtohen të sëmurët kardiakë! Në jug rastet janë shqetësuese sidomos mes moshave të reja
Shifrat janë shqetësuese jo vetëm mes të moshuarve por edhe mes moshave më të reja ka raste të shumta të infarkteve të miokardit dhe të të sëmurëve me takikardi.
Një pjesë e efekteve vijojnë të lidhen me periudhën post covid dhe numri i të prekurve nga këto simptoma është më i lartë mes pacientëve që kanë kaluar covidin.
Kardiologët thonë se shumica e rasteve janë referuar në spitalin e Fierit që ka qenë një zgjidhje për të gjithë Jugun duke reduktuar shifrat e pacientëve që merrnin ndihmë për ndërhyrje emergjente më parë në spitalin e Janinës.
“Sëmundjes e zemrës zënë vendin e parë sa i përket sëmundshmërisë së popullatës. Moshat më të prekura janë moshat mbi 70 vjeç. Numri i rasteve kohët e fundit ka qenë i shtuar. Ka pasur shumë raste të cilat ne i kemi nisur me urgjencë pasi problemet e pacientëve kanë qenë të ndërlikuara. Është fat që ne kemi një qendër hemodinamike në Fier në spitalin ” Memorial” dhe ndihma jepet e shpejtë dhe në kohën e duhur. Edhe në moshat e reja kemi pasur raste goxha të ndërlikuara me probleme kardiake të cilat kanë dashur ndërhyrje urgjente. Të gjithë faktorët janë të pranishëm stresi, ngarkesa, ushqyerja, abuzimet me alkoolin me duhanin”, u shpreh mjeku kardiolog Eshref Shehu
Sipas mjekëve shkaqet e shifrave të shtuara për sëmundjet e zemrës mund të lidhen fillimisht me plakjen e popullsisë në Jug por edhe me konsumin në rritje të alkoolit dhe duhanit. Simptomat shpesh hasen edhe mes përdoruesve të drograve dhe lëndëve psikotrope. Obezieti, kequshqyerja dhe stili sedentar i jetës gjithashtu janë faktorë me ndikim të lartë për situatat akute.
Në Gjirokastër për pasojë është shtuar numri i personave që përfitojnë pension të invaliditetit për shkak të sëmundjeve kardiovaskulare.Në raport me vitin 2023, në Gjirokastër janë shtuar me 30% rastet e aplikimeve për përfitim të pensionit të invaliditetit. Në 90% të rasteve aplikantët janë pacientë që kanë kaluar koronavirusin pa dallim moshe. Ndërsa numri i personave që janë prekur me sëmundje kardiake ka pasur një rritje me gati 20%.
Top Channel
Burimi