Shteti ia kalon privatit! Paga mesatare është 73.641 lekë. Në administratë ka shkuar në 84,900 lekë

Shteti ia kalon privatit! Paga mesatare është 73.641 lekë. Në administratë ka shkuar në 84,900 lekë

Pas arritën kulmin në tremujorin e fundit të 2023-shit, pagat kanë ardhur në rënie të lehtë gjatë tremujorit të parë të këtij viti.

Por, sipas INSTAT paga mesatare prej 73 641 lekësh është 13.8% më e lartë se e njëjta periudhë një vit më parë, përkthyer në vlerë absolute gati 9000 lek më shumë.
Edhe gjatë këtij tremujori të parë aktivitetet ekonomike që ofrojnë pagë mesatare mujore bruto më të lartë se paga mesatare në nivel kombëtar, janë Aktivitetet Financiare dhe të Sigurimit dhe Informacioni dhe Komunikacioni, ndërsa në vendin e tretë vijnë aktivitetet në sektorin e pasurive të paluajtshme.

Ndërkohë reforma e pagave në administratën publike ka bërë që punonjësit e shtetit mesatarisht si grup t’i kenë pagat më të larta se mesatarja kombëtare konkretisht në nivelin 84 900 lekëve. Gjatë këtij tremujori diferenca me pagat në privat u thellua, ndërsa punonjësit në shtet marrin mesatarisht 16 300 lek më shumë.
Sa i përket profesioneve më të paguara, të parët në listë qëndrojnë menaxherët, ligjvënësit dhe drejtorët ekzekutivë, ndjekur nga profesionistët e lirë dhe teknikë dhe specialistët në zbatim si inxhinierët.
Nëpunësit ndërkohë kanë rritur pozicionin e tyre në tabelë, ndërsa mesatarja e pagës për këtë profesion ka arritur në 75 mijë lek.
Më të keqpaguarit vijojnë të jenë punonjësit në bujqësi dhe peshkim si dhe punëtorët e pakualifikuar që marrin rreth 48 mijë lek mesatarisht.

Top Channel
Burimi