![SHBA e zhgënjyer, O`Brien: Moszbatimi i marrëveshjeve Kosovë-Serbi, mundësi e humbur!](https://lajmidites.com/wp-content/uploads/thumbnails/2024/06/shba-e-zhgenjyer-obrien-moszbatimi-i-marreveshjeve-kosove-serbi-mundesi-e-humbur_667d8b0e4ce34.jpeg-730x440-lajmidites.com.webp)
SHBA e zhgënjyer, O`Brien: Moszbatimi i marrëveshjeve Kosovë-Serbi, mundësi e humbur!
Shtetet e Bashkuara nuk e fshehin zhgënjimin me ngecjet e njëpasnjëshme të dialogut Kosovë-Serbi dhe moszbatimin e marrëveshjeve mes tyre, që për ndihmës sekretarin amerikan të Shtetit, Jim O’Brien, është praktikisht një “është mundësi e humbur nga të dyja palët”.
Zyrtari i lartë i bëri këto komente në një postim në rrjetin X ku shpërndau pohimin e kreut të politikës së Jashtme të Bashkimit Europian Josep Borrell, pas përpjekjeve të së mërkurës për një takim të përbashkët me udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, që dështuan pasi Kosova refuzoi të marr pjesë dhe vendosi disa kushte për një takim trepalësh.
O’Brien tha se takimi i së mërkurës “nënvizoi faktin se palët duhet të ripërkushtohen për të trajtuar problemet dhe për të ndjekur mundësitë në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja”.
Takimi i fundit ndërmjet kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiç, është mbajtur në shtator të vitit të kaluar, pak ditë para ngjarjeve të 24 shtatorit, kur një grup serbësh të armatosur sulmoi policinë e Kosovës në fshatin Banjskë në veri duke vrarë një oficer policie.
Ngjarja ngriti shqetësime për qëndrueshmërinë në rajon dhe diplomacia perëndimore u vu në përpjekje për të nxitur palët që të zbatojnë marrëveshjen e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet tyre, për të cilën palët u dakorduan në shkurt dhe mars të vitit 2023 në Bruksel dhe në Ohër.
Top Channel
Burimi