
Rubio reagon pas takimit të Putin me të dërguarin e posaçëm të Trump: Nëse koordinohemi mund ta zgjidhim konfliktin shumë shpejt
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio tha se “ka arsye të jemi optimist, por të kujdesshëm” pasi i dërguari i posaçëm i SHBA-së, Steve Witkoff u takua me presidentin rus, Vladimir Putin në Moskë, por diplomati i lartë amerikan vuri në dukje se është “një situatë e vështirë dhe komplekse”.
“Nuk do të jetë e lehtë, nuk do të jetë e thjeshtë, por sigurisht që ndjejmë se jemi të paktën disa hapa më afër përfundimit të kësaj lufte, për të sjellë paqen, por është ende një rrugëtim i gjatë”, u tha Rubio gazetarëve në Quebec pas samitit të G7-ës.
Rubio nuk dha detaje të tjera rreth takimit në Moskë, por vuri në dukje se ai foli me Witkoff “mbrëmë vonë” dhe se i dërguari i SHBA kishte folur me presidentin Donald Trump.
“Ne do të mblidhemi sërish. Presidenti do të ketë opsione në dispozicion të tij. Më pas do të merren vendime”, tha ai.
Rubio gjithashtu nuk e vlerësoi përgjigjen publike të Putin si refuzim të një armëpushim të menjëhershëm “përveç se ai tha se ishte dakord me marrëveshjen në koncept”. Ai nuk tha nëse besonte se komentet e Putinit ishin një taktikë vonuese dhe zvarritëse.
“Ne jemi në një pozicion më të mirë sot sesa ishim një javë më parë, shpresoj dhe besoj se kemi arsye të kemi arsye të mendojmë kështu, por kemi ende shumë punë për të bërë. Mund të zgjidhim konfliktin shumë shpejt nëse të gjithë koordinohen së bashku, por nuk e di se sa të koordinuar jemi. Kjo është ajo që ne do të zbulojmë”, përfundoi Rubio.
Top Channel
Burimi