Rrëmbimi dhe vrasja e biznesmenit, Apeli rrëzon kërkesën e dy fëmijëve të viktimës, Rruzhdi Hoxha
Gjykata e Apelit nuk ka pranuar kërkesën e fëmijëve të biznesmenit të rrëmbyer e më pas të vrarë, Rruzhdi Hoxha, të cilët kërkonin ashpërsim të dënimit ndaj autorit.
Në një njoftim për mediat sqarohet se: Më datë 24.01.2021, në Komisariatin e Policisë nr. 5 Tiranë, është paraqitur dhe ka bërë kallëzim shtetasi me iniciale S. H, i cili ka deklaruar se babai i tij shtetasi me iniciale Rruzhdi Hoxha është larguar prej disa ditësh nga shtëpia dhe nuk është kthyer më. Në bazë hetimeve të kryera u bë mundur gjetja e kufomës së të ndjerit Rruzhdi Hoxha, në zonën e Dajtit. Të akuzuar për faktin e mësipërm janë të pandehurit me iniciale F. Rr dhe P. Rr., ndaj të cilëve u ngritën akuzat :
1. i pandehurit me iniciale Fredi Rrushaj, u akuzua për kryerjen e veprës penale “Vrasje me paramendim”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Fshehja ose asgjësimi i kufomës”, parashikuar nga neni 78, 278/1 dhe 303 të Kodit Penal, si dhe2. të pandehurit me iniciale P. Rr, u akuzua për kryerjen e veprës penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, parashikuar nga neni 301 i Kodit Penal.
Në përfundim të gjykimit në shkallë të parë, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me vendimin nr. 1751, datë 05.07.2023 ka vendosur:
1. Deklarimin fajtor të të pandehurit F. Rr për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes me dashje”, e parashikuar nga neni 76 i K. Penal dhe në bazë të kësaj dispozite, dënimin e të pandehurit me 14 (katërmbëdhjetë) vite burgim.2. Deklarimin fajtor të të pandehurit F. Rr për kryerjen e veprës penale të “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, e parashikuar nga neni 278/1 i K. Penal dhe në bazë të kësaj dispozite, dënimin e të pandehurit me 5 (pesë) vite burgim.3. Deklarimin fajtor të të pandehurit F. Rr për kryerjen e veprës penale të “Fshehja ose asgjësimi i kufomës”, e parashikuar nga neni 303/1 i K. Penal dhe në bazë të kësaj dispozite, dënimin e të pandehurit me 1 (një) vit burgim.4. Në aplikim të nenit 55 të K. Penal në caktimin e një dënimi të vetëm për disa vepra penale i pandehuri F. Rr dënohet me një dënim të vetëm prej 15 (pesëmbëdhjetë) vite burgim.5. Në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale, i ulet 1/3 (një e treta) e dënimit dhe përfundimisht i pandehuri F. Rr dënohet me 10 (dhjetë) vite burgim.6. Deklarimin fajtor të të pandehurit P. Rr për kryerjen e veprës penale të “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, e parashikuar nga neni 301 i K. Penal dhe në bazë të kësaj dispozite, dënimin e të pandehurit me 1(një) vit e 6 (gjashtë) muaj burgim.7. Në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale, i ulet 1/3 (një e treta) e dënimit dhe përfundimisht i pandehuri P. Rr dënohet me 1 (një) vit burgim.8. Ngarkohet Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për ekzekutimin këtij vendimi.9. Kundër vendimit lejohet ankim brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga dita e njoftimit të këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Pas komunikimit të vendimit, në datë 01.08.2023 kanë ushtruar ankim trashëgimtarët e viktimës të të ndjerit Rr. H, babai i tij me iniciale Xh. H, si dhe djali i tij me iniciale E. H, të cilët kërkuan:
1. Ndryshimin e vendimit të gjykatës dhënë ndaj të pandehurit me iniciale F. Rr, në lidhje me kualifikimin e veprës penale nga ajo e “Vrasjes me dashje”, në atë të “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 78/2 të Kodit Penal dhe në bashkim të dënimeve të vendoset dënimi i tij me burgim të përjetshëm.
Më datë 15.09.2023 është regjistruar në gjykatën e apelit çështja penale, mbi bazën e ankimeve të lartpërmendura.
Në këto kushte gjykata e apelit, në dhomë këshillimi, vuri në diskutim pranueshmerinë e ankimit të paraqitur nga viktimat ndaj vendimit të gjykatës së shkallës së parë, në lidhje me legjitimitetin e tyre. Gjatë verifikimit në dhomë këshillimi, gjykata e apelit konstatoi parregullsi në aktin e njoftimit të vendimit, drejtuar prokurorisë, duke qenë e paqartë nëse komunikimi ishte kryer apo jo. Në këto kushte, gjykata e apelit vlerësoi të verifikojë këtë aspekt procedural, si dhe të kalojë çështjen për shqyrtim në seancë gjyqësore
Në seancën gjyqësore të datës 02.07.2024, referuar shkresës nr. 1883 prot., datë 23.02.2024 të dërguar nga Prokuroria e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, rezultoi se prokurori i çështjes kishte marrë dijeni për vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë dhe nuk kishte ushtruar ankim. Në këto rrethana, gjykimi i çështjes në apel vijoi vetëm me ankimin e viktimave nga vepra penale (trashëgimtarët e viktimës).
Lidhur me këto ankime, prokurori i apelit Z. Arben Qosja dhe mbrojtësi i të pandehurit F. Rr., kërkuan të vendoset mospranimi për shkak të mungesës së legjitimitetit të viktimës nga vepra penale për të ushtruar ankim ndaj vendimit përfundimtar të gjykatës së shkallës së parë.
Mbrojtësi i ankuesve i kërkoi gjykatës së apelit që ta vlerësojë të pranueshëm ankimin e viktimave dhe të prishë vendimin e gjykatës së shkallës së parë.
Në përfundim të gjykimit, më datë 02.07.2024, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Relatore Gjyqtare znj. Marsela Pepi dhe anëtar znj. Edlira Petri dhe z. Fatri Islamaj, vendosi:
– Mospranimin e ankimeve të paraqitura nga viktimat e veprës penale E. H dhe Xh. H, kundër vendimit nr. 1751, datë 05.07.2023 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për mungesë legjitimiteti.
Top Channel
Burimi